HUNGARI – Ndalohen dy ish-ministra të qeverisë Orban, në kuadër të hetimeve për korrupsion
BUDAPEST, 29 shtator /ATSH-DPA/ – Prokurorët hungarezë kanë ndaluar dy ministra nga qeveria e mëparshme nacionaliste e krahut të djathtë të Viktor Orbánit, nën dyshimin për korrupsion dhe përvetësim fondesh.
Arrestimi i Balazs Hankos dhe Miklos Sesztakut erdhi menjëherë pasi parlamenti hoqi imunitetin që ata gëzonin si ligjvënës, në seancën e së hënës.
Tani gjykatësit duhet të vendosin nëse dy personat, të cilët fillimisht mund të mbahen në paraburgim për një maksimum prej 72 orësh, duhet të qëndrojnë në paraburgim për një periudhë më të gjatë.
”Të dy u paraqitën vullnetarisht te prokurorët pasi u thirrën vonë të hënën”, raportuan mediet hungareze.
Hanko dhe Sesztak janë zyrtarët e parë të lartë nga qeveritë e Orbanit që përballen me hetime për korrupsion.
Kryeministri i ri, Peter Magyar, i mirëpriti këto zhvillime përmes një postimi në Facebook.
“Pas dekadash gënjeshtrash, miliona hungarezë kanë mësuar për herë të parë se çfarë do të thotë ndryshim i vërtetë i regjimit dhe barazi para ligjit. Hungaria më në fund nuk është më një vend ku nuk ka pasoja”, shkroi ai.
Hetuesit e akuzojnë Hankon për keqpërdorim të fondeve shtetërore për shpenzimet e fushatës zgjedhore gjatë kohës që shërbente si ministër i Kulturës dhe Inovacionit (2024-2026), duke shkaktuar – sipas dyshimeve – humbje prej 17,3 miliardë forintash (53 milionë dollarë).
Prokurorët e akuzojnë Sesztakun, i cili shërbeu si ministër i Zhvillimit nga viti 2014 deri në 2018, për përfshirje në një skandal korrupsioni që lidhet me kompaninë e transportit “Volanbusz ZRT”.
Në këtë çështje dyshohet se u janë paguar ryshfete me vlerë mbi 11 miliardë forinta zyrtarëve shtetërorë që merrnin vendime./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.