HUNGARI – Qeveria lehtëson rregullat e abortit në kuadër të reformës së të drejtave të grave
– Qeveria e Hungarisë do të lehtësojë aksesin në kontracepsionin urgjent dhe do të ndryshojë një rregull të debatueshëm për abortin, në kuadër të një pakete më të gjerë reformash për të drejtat e grave, njoftoi sot kryeministri Peter Magyar, sipas “Reuters”.
Masat përfshijnë gjithashtu forcimin e mbrojtjes ligjore për gratë viktima të abuzimit dhe ratifikimin e një konvente ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave.
Këto ndryshime shënojnë një shkëputje nga politikat e ndjekura nga ish-kryeministri Viktor Orban, i cili qëndroi në pushtet për 16 vjet.
“Ne po propozojmë një paketë gjithëpërfshirëse masash, për të luftuar të gjitha format e dhunës ndaj grave, në interes të sigurisë dhe dinjitetit të grave hungareze”, deklaroi Magyar në një video të publikuar në “Facebook”.
Kryeministri, i cili i dha fund qeverisjes 16-vjeçare të Orban, pas fitores në zgjedhjet e prillit, tha se ratifikimi i Konventës së Stambollit përbën një detyrim të vonuar prej kohësh të shtetit hungarez.
Konventa e vitit 2014, synon parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Ajo u kërkon vendeve nënshkruese, të kriminalizojnë përdhunimin mbi bazën e mungesës së pëlqimit.
Magyar bëri të ditur se qeveria do të ndryshojë Kodin Penal, për të forcuar mbrojtjen e grave, përfshirë rregullat për urdhrat e mbrojtjes dhe largimit të autorëve të dhunës.
Përdorimi i paautorizuar i imazheve intime, do të përcaktohet si vepër penale, ndërsa viktimat e dhunës në familje, do të përfitojnë trajtim të posaçëm gjatë procedurave gjyqësore.
“Po e bëjmë të qartë se marrëdhëniet seksuale mund të kryhen vetëm me pëlqimin vullnetar të palës tjetër”, deklaroi kryeministri.
Një tjetër ndryshim parashikon që gratë të mund të sigurojnë kontracepsionin urgjent, përfshirë pilulën e emergjencës, pa pasur nevojë për recetë mjekësore.
Qeveria do të ndërmarrë gjithashtu masa për të luftuar atë që cilësohet si “varfëria menstruale”, duke synuar përmirësimin e aksesit në produktet e higjienës menstruale për gratë dhe vajzat në nevojë.
Ndryshimet në rregullat e abortit
Qeveria do të ndryshojë gjithashtu një rregull të vitit 2022, të miratuar gjatë qeverisjes së Orban, i cili kërkonte që gratë shtatzëna që kërkonin ndërprerjen e shtatzënisë, të paraqisnin konfirmimin nga një profesionist shëndetësor, për një shenjë të qartë të jetës së fetusit, e interpretuar gjerësisht si rrahjet e zemrës.
Kjo kërkesë shkaktoi kritika dhe protesta nga mjekët dhe organizatat për të drejtat e grave, të cilat e cilësuan procedurën si mizore dhe poshtëruese.
Magyar deklaroi se ky rregull nuk kishte arritur të ulte numrin e aborteve, por kishte ngritur çështje serioze bioetike dhe kishte shkaktuar trauma shtesë për gratë që përballeshin me rrethana të vështira.
Ndryshimet e propozuara, synojnë t’u japin grave më shumë dinjitet dhe autonomi, gjatë marrjes së vendimeve për shëndetin e tyre riprodhues.
Reformat përfaqësojnë një nga ndryshimet më të rëndësishme në politikat për të drejtat e grave në Hungari, pas ardhjes në pushtet të qeverisë së re të Peter Magyar, pas 16 vitesh qeverisjeje nga Viktor Orban. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.