I dënuari u mbajt në burg përtej afatit, KLGJ rrëzon kërkesën për masë ndaj gjyqtares
Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka rrëzuar këtë të enjte kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) për caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike” ndaj gjyqtares me inicialet L. Zh., pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.
Kërkesa lidhej me përllogaritjen e gabuar të periudhës së vuajtjes së dënimit të një personi, i cili, sipas hetimit disiplinor të ILD-së, ishte mbajtur në burg përtej afatit kur duhej të kishte përfunduar dënimi.
Hetimi i nisur me iniciativën e ILD-së kishte konstatuar një analizë juridike të paplotë nga ana e gjyqtares, duke sjellë moszbatimin e drejtë të dispozitave ligjore për përllogaritjen e pjesës së pavuajtur të dënimit, si dhe për njohjen e periudhës së paraburgimit të vuajtur jashtë territorit të Shqipërisë për qëllime ekstradimi.
Sipas ILD-së, këto mangësi kanë sjellë cenimin e një të drejte themelore të individit, si dhe të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë vlerësoi gjithashtu se veprimet dhe mosveprimet e gjyqtares krijojnë rrezikun e përsëritjes së praktikave të gabuara në çështje të ngjashme që lidhen me bashkimin dhe ekzekutimin e dënimeve, me pasoja të mundshme për lirinë e personave të tjerë të dënuar.
Në përfundim të hetimit, ILD-ja arriti në konkluzionin se gjyqtarja kishte vepruar nga pakujdesia dhe mungesa e kujdesit të duhur profesional, duke e klasifikuar rastin si shkelje të lehtë disiplinore.
Për këtë arsye, ILD-ja i propozoi Këshillit të Lartë Gjyqësor caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike”, bazuar në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Megjithatë, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi me shumicë votash rrëzimin e kërkesës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.