Konferenca e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor/ Kos: Zgjerimi deri më 2030, viti 2027 mund të jetë i Shqipërisë
Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë fjalës së saj në Konferencën e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tiranë, deklaroi se Bashkimi Evropian po përgatitet të mirëpresë anëtarë të rinj për herë të parë që nga anëtarësimi i Kroacisë në vitin 2013.
Ajo rikonfirmoi objektivin e zgjerimit deri në vitin 2030 dhe shtoi se 200 milionë euro të tjera do të alokohen për rajonin.
Duke iu drejtuar të pranishmëve për zhvillimet në rajon, Kos theksoi se procesi i integrimit po hyn në një fazë konkrete dhe po rrit ndjeshëm atraktivitetin e Ballkanit Perëndimor për kapitalin e huaj.
“Natyrisht që në të gjithë rajonin po ndodhin zhvillime të rëndësishme të cilat e bëjnë atë gjithnjë e më tërheqës për investuesit. Për herë të parë që nga anëtarësimi i Kroacisë në BE në vitin 2013, Bashkimi Evropian po përgatitet që të mirëpresë anëtarë të rinj dhe dy vendet më të avancuara në këtë proces janë pikërisht nga Ballkani Perëndimor. Zoti Mishel, po, keni të drejtë. Ne do të zgjerohemi deri në 2030-ën, edhe një herë tjetër, po, kishit të drejtë“, deklaroi komisionerja.
Kos veçoi ritmin e Malit të Zi dhe Shqipërisë, duke vendosur një afat konkret ambicioz për Tiranën zyrtare, kushtëzuar me vijimin e reformave kyçe.
“Mali i Zi është pranë përfundimit të negociatave dhe mund të nënshkruajë datën e anëtarësimit që verën e ardhshme. Shqipëria mund të ndjekë të njëjtën rrugë. Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë nëse qeveria vijon të qëndrojë në rrugën e duhur për reformat, veçanërisht sa i përket shtetit të së drejtës, reformës zgjedhore dhe mjedisit”, u shpreh ajo.
Komisionerja vlerësoi gjithashtu hapat e Maqedonisë së Veriut dhe komentoi zhvillimet e fundit politike në Serbi, duke vënë theksin te rëndësia e shtetit të së drejtës për klimën e biznesit.
“Ne gjithashtu kemi parë edhe Maqedoninë e Veriut të përshpejtojë reformat në kuadër të planit të rritjes dhe të përmirësojë nivelin e përgatitjes për anëtarësimin në BE, ndërsa në Serbi lista studentore ka fituar zgjedhjet me thirrjet e saj për transparencë, shtetin e së drejtës dhe luftë kundër korrupsionit. Pikërisht këto janë reformat që qeveria e mëparshme ka premtuar prej vitesh, por që nuk e ka realizuar kurrë. Qeveria e ardhshme serbe mund ta ndryshojë këtë situatë“, tha Kos.
Sipas saj, këto reforma lidhen drejtpërdrejt me prosperitetin ekonomik, pasi mungesa e transparencës dhe korrupsioni dëmtojnë drejtpërdrejt konkurrencën e ndershme dhe rininë.
“Mungesa e transparencës dhe korrupsioni kanë koston e tyre. Kjo kosto paguhet nga sipërmarrësit, të cilët humbasin kontrata përballë konkurrentëve me lidhje të forta politike. E paguajnë të rinjtë, të cilët nuk kanë mundësi nëse nuk kanë lidhjet e duhura dhe e paguajnë tatimpaguesit, paratë e të cilëve përfundojnë në xhepat e individëve privatë. Pra, një ekonomi mund të lulëzojë vetëm kur ekziston siguria juridike. Ajo u jep investuesve dhe sipërmarrësve besimin për të marrë vendime afatgjata sepse e dinë që kontratat e tyre do të zbatohen siç duhet dhe se të drejtat e pronësisë do të mbrohen“, nënvizoi ajo.
Duke sjellë si shembull suksesin e Spanjës, Polonisë dhe Sllovenisë nga valët e mëparshme të zgjerimit, Kos citoi vlerësimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për potencialin e rritjes ekonomike të rajonit.
“Studimet e fundit të FMN-së sugjerojnë se anëtarësimi në BE mund ta rrisë PBB-në për frymë në vendet kandidate deri në 47% gjatë një periudhe 15-vjeçare. Rreth dy të treta të këtyre fitimeve do të vinin nga rritja e prodhimtarisë, e produktivitetit. Pra, argumentet ekonomike në favor të zgjerimit mbeten bindëse dhe me disa vende të rajonit që po i afrohen anëtarësimit, nuk mund të kishte kohë më të mirë për të investuar në këto vende dhe në rajon sesa kjo e sotmja”, deklaroi komisionerja.
Ajo shpjegoi se modeli i ri i integrimit gradual po sjell përfitime të prekshme edhe përpara anëtarësimit të plotë, duke përmendur anëtarësimin në zonën unike të pagesave në euro, SEPA, ku sipas saj kostot e transaksioneve për qytetarët dhe bizneset në Shqipëri, Malin e Zi, Serbi dhe Maqedoninë e Veriut janë ulur mesatarisht me 94%.
“Pasi të kenë përmbushur kushtet e nevojshme edhe Kosova dhe Bosnja-Hercegovina, edhe këto dy vende do të mund t’i bashkohen zonës SEPA. Por, nëpërmjet qasjes sonë të re, me integrimin gradual, ne duam t’i hapim edhe më shumë dyert për ekonomitë e vendeve kandidate.
Synojmë të mundësojmë aksesin në disa sektorë të tregut unik të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe energjinë dhe transportin, si edhe të zgjerojmë bashkëpunimin në fushën e teknologjive digjitale. Kjo qasje e re do të përforcojë sigurinë ekonomike të Evropës në tërësi. Ajo do të na mundësojë ne që të ndërtojmë zinxhirë vlerash panevropiane dhe të ulim varësinë tonë nga pjesë të tjera të botës”, tha Kos.
Një vëmendje të veçantë komisionerja i kushtoi infrastrukturës dhe lidhjeve strategjike të transportit e energjisë, duke veçuar Korridorin 8 si një nyjë kyçe për tregtinë evropiane.
“Ndërprerjet e fundit në tregtinë globale kanë treguar se sa e cenueshme është Evropa kur ajo varet nga një numër i kufizuar i korridoreve të transportit. Shumë prej korridoreve të reja tregtare të Evropës kalojnë përmes Ballkanit Perëndimor. I tillë është Korridori 8, i cili lidh bregdetin e Adriatikut në Durrës përmes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë me Detin e Zi.
Ky korridor është pjesë e një rrjeti më të gjerë lidhjesh hekurudhore dhe rrugore që bashkojnë Evropën Qendrore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë me lidhje të mëtejshme drejt Azisë Qendrore. Në kushte kur shumë prej këtyre korridoreve globale tregtare janë nën presion, ne presim që vëllimi i tregtisë në rrugët alternative të rritet. Kjo është një mundësi për Ballkanin Perëndimor që të shfrytëzojë pozicionin e vet qendror në hartën e Evropës“, u shpreh ajo.
Në lidhje me mbështetjen financiare për sektorin privat dhe inovacionin, përfshirë startup-et në inteligjencën artificiale dhe shëndetësi, Kos njoftoi shtimin e fondeve të garantuara nga Bashkimi Evropian.
“Aktualisht, më shumë se 1.5 miliardë euro mbështetje financiare e garantuar nga BE-ja po ndihmon në uljen e rreziqeve të investimit dhe në tërheqjen e kapitalit privat në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Njoftimet për investime të bëra në këtë konferencë do të shtojnë edhe 200 milionë euro të tjera në angazhime për investime përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor dhe Fondit Evropian për Zhvillim të Qëndrueshëm Plus (EFSD+), çka do të ndihmojë krijimin e bizneseve të suksesshme, vendeve më të mira të punës dhe mundësive të reja për qytetarët e Ballkanit Perëndimor që ata të qëndrojnë në vendet e tyre”, bëri të ditur komisionerja.
Në përmbyllje të fjalës së saj, Marta Kos u bëri thirrje të drejtpërdrejtë investuesve evropianë që të angazhohen menjëherë në rajon.
“Mesazhi im për investuesit evropianë është i thjeshtë: Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, por shumë prej mundësive ekzistojnë tashmë këtu dhe ato do të shtohen me zgjerimin e qasjes në tregun unik dhe me më shumë fonde nga BE-ja. Prandaj thirrja ime për të gjithë ju është: shfrytëzojeni këto mundësi”, përfundoi Kos.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.