Instituti GAP: Numri i mësimdhënësve bie edhe për 263 deri më vitin 2027
Instituti GAP ka publikuar analizën “Numri i mësimdhënësve në komuna: tepricë apo nevojë?”, e cila trajton ndikimin e zbatimit më strikt të formulës për buxhetimin e mësimdhënësve në kuadër të grantit të arsimit.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se analiza tregon se nga viti 2026, Ministria e Financave, bazuar në rekomandimet dhe normat e Ministrisë së Arsimit, e ka bazuar financimin e pagave të mësimdhënësve në numrin aktual të nxënësve dhe raportin nxënës–mësimdhënës.
“Kjo ka nxjerrë në pah mospërputhje të theksuara ndërmjet numrit të mësimdhënësve të paraqitur nga komunat dhe numrit të aprovuar për financim përmes grantit të arsimit”, thuhet në njoftim.
Tutje siç thuhet në njoftim të dhënat tregojnë, se për gjitha komunat e Kosovës, për vitin 2026, Ministria e Financave ka larguar nga granti i arsimit gjithsej 3,101 mësimdhënës.
“Ky vendim pritet të krijojë një ngarkesë të konsiderueshme financiare për buxhetet e komunale, ku vetëm në vitin 2026, kostoja e vlerësuar për gjitha komunat tejkalon 24 milionë euro. Për 25 komunat e trajtuara në këtë analizë, komunat kanë paraqitur 27,282 mësimdhënës për vitin 2026, ndërsa janë aprovuar 24,200. Si rezultat, 3,082 mësimdhënës, apo rreth 11.3% e numrit të paraqitur, kanë mbetur jashtë financimit të grantit”.
Po ashtu siç thuhet në njoftim për vitin pasues, 2027, është paraparë që numri i përgjithshëm i mësimdhënësve të ulet edhe për 263.
“Konkretisht, disa komuna do të kenë rreth 463 mësimdhënës më pak në kuadër të grantit të arsimit, përderisa për të njëjtin vit për disa komuna tjera, së bashku, numri i mësimdhënësve planifikohet të rritet për 200”.
Në këto rrethana, siç thuhet në njoftim komunat përballen me dy alternativa: të harmonizojnë numrin e mësimdhënësve me normativat e Ministrisë së Arsimit ose t’i mbajnë në punë mësimdhënësit shtesë duke i financuar nga burime vetanake apo nga granti i përgjithshëm.
“Zgjedhja e alternativës së dytë mund të kufizojë investimet në sektorin e arsimit dhe zhvillimin komunal. Në vlerë absolute, presioni më i madh për mbulimin e pagave të mësimdhënësve “tepricë” apo “mbi normë” bie mbi Gjilanin me mbi 2.5 milionë euro, Gjakovën me mbi 2.3 milionë euro, pasuar nga Peja, Malisheva, Podujeva, Rahoveci, Suhareka, Skenderaj dhe Mitrovica e Jugut”.
Analiza thekson se kjo situatë nuk është vetëm pasojë e formulës së financimit, por reflekton një problem më të thellë strukturor në arsimin parauniversitar. Për më shumë se një dekadë, numri i nxënësve në Kosovë ka rënë vazhdimisht, ndërsa numri i mësimdhënësve dhe i shkollave nuk është përshtatur me të njëjtin ritëm. Vetëm në 25 komunat e analizuara, numri i nxënësve ka rënë nga 300,429 në vitin shkollor 2023/2024 në 279,465 në vitin 2026/2027, apo për afro 21 mijë nxënës.
Prandaj, Instituti GAP vlerëson se komunat duhet të nisin një proces të mirë planifikuar të riorganizimit të rrjetit shkollor dhe menaxhimit të stafit në arsim, të bazuar në të dhëna të sakta për numrin e nxënësve, paralelet, nevojat për kuadro, shpërndarjen gjeografike të shkollave dhe kostot reale të funksionimit. Ky proces duhet të jetë pjesë e një reforme të qëndrueshme për përshtatjen e sistemit arsimor me ndryshimet demografike dhe financiare.
Analizën e plotë mund ta gjeni të bashkëngjitur në këtë email ose duke klikuar këtu. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.