Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore feston 61-vjetorin e krijimit
Sot, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore feston 61-vjetorin e krijimit.
Themelet e kësaj veprimtarie të organizuar dhe të specializuar në fushën e trashëgimisë kulturore, nisen në vitin 1965, me krijimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës, i cili bashkoi studimin, dokumentimin, mirëmbajtjen dhe restaurimin e monumenteve në një strukturë të vetme institucionale.
Me konsolidimin e veprimtarisë së tij, Instituti krijoi struktura të specializuara sipas tipologjisë dhe periudhës historike të monumenteve, duke zgjeruar njëkohësisht praninë në terren përmes degëve dhe atelieve në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Një rol të rëndësishëm në këtë organizim luanin edhe kujdestarët e monumenteve, të cilët ndihmonin në evidentimin e gjendjes së tyre dhe në identifikimin e problematikave që kërkonin ndërhyrje.
Në vitin 1971, botimi i numrit të parë të revistës Monumentet shënoi një etapë të rëndësishme në zhvillimin e veprimtarisë shkencore të Institutit.
Përmes studimeve, ekspeditave kërkimore, sesioneve shkencore, albumeve dhe monografive u pasurua dhe u dokumentua njohuria mbi historinë, arkitekturën, arkeologjinë dhe restaurimin e monumenteve të kulturës.
Trashëgimia kulturore shqiptare përfaqëson një dëshmi të çmuar të qytetërimeve, traditave dhe zhvillimeve historike që kanë lënë gjurmë në territorin tonë, por që kane rëndësi dhe përtej kufijve kombëtarë siç dëshmon përfshirja e disa prej tyre në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
I pari që u përfshi në këtë listë ishte Butrinti. Qyteti antik u përshi në Listën e UNESCO-s në 1992. Në vitin 2005, ishte radha e Qendrës Historike të Gjirokastrës. Ndërsa në vitin 2008, kufijtë e pasurisë së Trashëgimisë Botërore që përfshin qendrat historike të Beratit dhe Gjirokastrës u modifikuan në mënyrë të rëndësishme, pas regjistrimit fillestar në vitin 2005.
Në vitin 2019, pasuria ndërkufitare Trashëgimia Natyrore dhe Kulturore e Rajonit të Ohrit, e ndarë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, u zgjerua për të përfshirë edhe pjesën shqiptare të rajonit. Ky zgjerim shënoi një hap të rëndësishëm në njohjen ndërkombëtare të trashëgimisë së rajonit. Ndërsa fshati i Linit u shpall “Ansambël Arkitektonik Urban” dhe u përfshi në zonën shqiptare të pasurisë së UNESCO-s “Trashëgimia Natyrore dhe Kulturore e Rajonit të Ohrit”, në 2025-ën.
IKTK kujton në këtë përvjetor se, ky rrugëtim mban gjurmën e studiuesve, arkitektëve, arkeologëve, restauratorëve, dhe të gjithë specialistëve që kanë kontribuar në identifikimin, studimin dhe ruajtjen e monumenteve tona. Mes tyre, IKTK veçoi prof. Emin Rizën, një prej personaliteteve të shquara të studimit dhe restaurimit të trashëgimisë kulturore shqiptare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.