Integrimi në BE, Gjosha kërkon mbështetje nga Serbia dhe Mali i Zi
Ministrja e Integrimit Europian Klajda Gjosha, priti sot në një takim, dy Kryenegociatorët e Serbisë dhe Malit të Zi, vende të cilat negociojnë për t’u bërë anëtare me Bashkimin Europian.
Gjatë takimit me Tanja Miscevic, kryenegociatore e Serbisë dhe Aleksandar Pejović, kryenegociator i Malit të Zi, u diskutua mbi rëndësinë e procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe rolin tejet të rëndësishëm që ka gjithëpërfshirja e aktorëve.
Ministrja Gjosha, u shpreh se Shqipëria shpreson të hapë sa më shpejt negociatat me BE-në, duke e cilësuar si fazën më të rëndësishme të procesit të integrimit të vendit.
“Ne jemi të vetëdijshëm që është një fazë që para së gjithash kërkon ngritjen e kapaciteteve, përgatitjen e gjithë shoqërisë shqiptare, ndaj çdo asistencë dhe mbështetje nga vendet të cilat kanë kaluar përpara nesh këtë proces ka shumë vlerë”, tha Ministrja Gjosha.
Ministrja Gjosha u shpreh se Ministria e Integrimit Europian është në proces të finalizimit të Dokumentit për hapjen e negociatave, një dokument ky, thelbësor
i cili do të mundësojë krijimin e të gjitha strukturave negociuese. Ministrja kërkoi asistencë nga dy Kryenegociatorët, për të ndarë modelet më të mira që ata kanë përdorur.
Kryenegociatorët e Serbisë dhe Malit të zi, shprehën gatishmërinë për të mbështetur Shqipërinë në nivel teknik, si dhe duke ndarë eksperiencën e tyre në procesin e negociatave.