Investimi i Kushner në jug, Rama: E informova Von der Leyen, brenda dy ditësh hapet “Pasqyra e Transparencës”
Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, kryeministri Edi Rama foli edhe për investimin e Jared Kushner në jug të vendit.
Rama tha se kjo çështje ishte diskutuar me von der Leyen, ndërsa njoftoi se brenda dy ose tre ditësh do të publikohet “Pasqyra e Transparencës”, ku do të bëhen të aksesueshme të gjitha dokumentet dhe procesi që lidhet me projektin.
“Bëj me dije se e kam informuar Presidenten e Komisionit, qoftë për ecurinë e projektit të madh të investimit që ka shkaktuar aq shumë interes, për të mos i vënë asnjë fjalë tjetër, ku tanimë jemi në fazën që presim së shpejti studimin e thelluar mjedisor, por ndërkohë duke e informuar për hapat që kemi hedhur në funksion të rritjes së konsiderueshme të transparencës me publikun shqiptar dhe ndërveprimit të qeverisë me publikun përmes mjeteve të teknologjisë.
Nesër ose pasnesër do të ndezim pasqyrën e transparencës së plotë të të gjithë dokumenteve dhe procesit, gjithçka që është e zezë mbi të bardhë, projekti i shumëdiskutuar.
Kemi folur edhe për bilancin e përpjekjes madhore që Shqipëria po bën në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që është një pikë e palëvizshme e agjendës tonë dhe e agjendës së BE-së, por edhe për vendet kandidate në veçanti.
Kemi konstatuar me kënaqësi faktin që, nëse dje korrupsioni ishte sistemi, sot sistemi po e lufton korrupsionin”, tha Rama.
Kryeministri foli gjithashtu për procesin e integrimit europian, duke konfirmuar vullnetin e qeverisë për të vijuar punën për mbylljen e kapitujve të negociatave.
“Konfirmoj vullnetin e hekurt për të çuar përpara të gjitha punët e procesit, që tanimë ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve, përgatitjen për të filluar nga mbyllja e kapitujve dhe pastaj për të vazhduar vitin e ardhshëm intensivisht me një pjesë të konsiderueshme të kapitujve tanimë të hapur.
Dua të them se më vjen shumë mirë që edhe në një program të posaçëm, që është programi i Planit të Rritjes, ne kemi arritur të kapim disa objektiva jashtëzakonisht ambiciozë dhe, siç thashë, me siguri Presidentja do të flasë për Planin e Rritjes, i cili është nga risitë e mandatit të saj të dytë, risi që për rajonin ka ardhur si një mbështetje e madhe, jo thjesht në aspektin financiar, por mbi të gjitha në aspektin e atij që quhet tanimë si një integrim gradual, pa pritur që gjithçka të vijë në fund të procesit”, u shpreh Rama.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.