Ekonomia

Intervistë e Kokëdhimës për Express: Flet për amerikanin dhe kanabisin

Cila është historia e relatave tuaja me Cary Lee Peterson?

Koco Kokëdhima: U informova për fushatën më të re të akuzave e insinuatave keqdashëse të një grupi mediash on-line të investuara sistematikisht në fushata shpifëse ndaj meje. Unë e kam ftuar në Shqipëri senatorin e Mikronezisë Shelten G. Neth. Ky senator në dijeninë time është edhe një lobues në Mikronezi për programet e kanabisit farmaceutik dhe ashtu siç unë interesohem për legalizimin e kanabisit farmaceutik në Shqipëri, edhe ky person ka punuar për një kohë të gjatë për legalizimin e kanabisit farmaceutik në Mikronezi.  Mikronezia ka programe ambicioze për aplikimet e kanabisit farmaceutik, bazuar në vlerat e tij të rëndësishme terapeutike si për luftën kundër kancerit ashtu edhe për sëmundjet e epilepsisë.

Mikronezia është një protektorat i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Paqësor dhe ka legalizuar kanabisin farmaceutik kohë më parë. Senatori i Mikronezise ka kërkuar që së bashku me Lee Peterson të vizitojë Shqipërinë dhe të diskutojë për mundësinë e bashkëpunimit për kanabisin farmaceutik. Për të bërë të mundur lejimin dhe ardhjen e tij këtu, me kërkesën e tij, unë i bëra ftesë dhe ai erdhi në Shqipëri. Së bashku me këtë senator të Mikronezisë, i cili edhe sot vazhdon të jetë senator në detyrë dhe me kërkesën e tij ka ardhur në Shqipëri edhe Cary Lee Peterson. Cary Lee Peterson është lobist dhe zyrtar në kongresin Amerikan në dijeninë time. Është gjithashtu aktivist dhe diplomat i Kombeve të Bashkuara. Zoti Lee Peterson ka komunikuar me zyrën time disa herë për realizimin e kësaj vizite, por gjithmonë përmes zyrës së Misionit Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet DMPP në Tiranë të akredituar në Kombet e Bashkuara dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jo drejtpërdrejt sepse unë nuk kam pasur njohje dhe kontakte të drejtpërdrejta me të. Objekti i diskutimit që ne kemi bërë në Shqipëri, ka qenë interesi i tyre për projektin e furnizimit të Mikronezisë me kanabisin farmaceutik nga Shqipëria. Ky ka qenë qëllimi i vizitës së tyre për aq sa di unë.

Jeni takuar vetëm një herë? 

Koço Kokëdhima: Jemi takuar vetëm një herë në Gusht të vitit të shkuar. Vetëm kjo vizitë ka qenë. Ata donin të vinin qysh në muajin maj por vizita e tyre u bë e mundur në gusht. Lee Peterson erdhi më përpara dhe qëndroi disa ditë më shumë ndërsa senatori Mikronezian pati shume vështirësi për të arritur në Tiranë sepse vendi i tij nuk ishte në të njëjtat kushte me vendet e tjera të njohura nga shteti ynë, nuk ishte i listuar si vend i njohur kam përshtypjen dhe humbi kohë për viza e leje hyrjeje në Shqipëri. Petersoni erdhi dhe më takoi në Vlorë ku unë isha me punë ato ditë. Atë ditë që erdhi e ftova për darkë së bashku me disa kolegë deputetë e kryetarë të bashkive të qarkut Vlorë me të cilët unë kisha një darkë pune të planifikuar. Senatorin Shelten G. Neth e takova ne Tiranë së bashku me Petersonin disa ditë me pas.

Keni pasur kontakte më pas?

Koço Kokëdhima:  Asnjë kontakt nuk kam pasur me të.

Ai ka qenë i ftuar i dikujt tjetër në këtë takim?

Koço Kokëdhima: Unë kam ftuar senatorin e Mikronezisë G. Neth në Tiranë. Zoti Shelten G Neth ma kërkoi këtë gjë me shkrim. Ndërsa Lee Peterson ishte zgjedhur e caktuar nga Mikronezia si lobist për projektet e kanabisit farmaceutik ne Mikronezi. Ai nuk kishte nevojë për ftesë nga unë. Ai ka ardhur në Shqipëri i dërguar nga Mikronezia si lobist i këtij projekti. Ne kemi bërë diskutime rreth vlerësimit dhe promovimit të mundësive të furnizimit të Mikronezisë nga Shqipëria me produkte farmaceutike me bazë kanabisi në 40 vitet e ardhshme. Unë uroj që Lee Peterson të mos ketë bërë ndonjë gabim me pasoja për jetën, biznesin dhe karrierën e tij, por Cary Lee Peterson si qytetar apo zyrtar amerikan ose si aktivist apo zyrtar i Kombeve të Bashkuar, është vetë përgjegjës për sjelljet e tij të mira apo sjelljet e tij që mund të konsiderohen në sfidim të ligjeve në Shtetet e Bashkuara. Këto janë çështje personale të tij dhe nuk kanë asnjë lidhje me mua apo me aktivitetin tonë. Është shumë e pashpresë përpjekja e disa mediave në Tiranë të cilat duan të bëjnë një lidhje mes nesh e Petersonit për problemet që mund të ketë ai me ligjet në vendin e tij. Ne s’kemi asnjë lidhje as me të dhe as me problemet e tij. Këto informacione, raporte dhe lajme dashakeqëse e dizinformuese të mbushura me gënjeshtra e deformime, janë përhapur nga një sit në pronësi të deputetes aktuale të Partisë Demokratike, Albana Vokshi.

Po i referoheni faqes HashtagAlbania?

Koço Kokëdhima:  Po, përmes faqes së saj. Më pas këto informacione i kanë marrë një grup mediumesh që janë të identifikuara si mediume sistematikisht kundër meje dhe të investuara plotësisht në një luftë perverse e të qëndrueshme ndaj meje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button