Rajoni

Investimet kineze në Ballkan. Takimi i Sofjes, pas luftës tregtare me SHBA

“Kina ka interes për një Europë të fortë”, deklaroi kryeministri kinez, Li Keqiang, në takimin e kryeministrave të vendeve të Europës Qendrore, Lindore e Juglindore, që po zhvillohet në Sofje, i njohur si “Takimi 16+1”.
Kjo, sipas tij është në interesin e Pekinit, që po forcon gjithmonë e më shume lidhjet me Europën Lindore e atë Juglindore.

Vëmendja e shtetit të fuqishëm aziatik drejt kësaj pjese të kontinentit të vjetër është shtuar prej kohësh, por në dritën e zhvillimeve të fundit dhe luftës tashmë të hapur tregtare me Shtetet e Bashkuara, për shkak të tarifave të reja të vendosura nga administrata e Donald Trumpit, gjasat që ajo të marrë një përmasë të re janë shumë të mëdha.

Mikpritësi i samitit, kreu i qeverisë bullgare, Boiko Borisov u përpoq të tregonte se, “ky format nuk ka qëllimin të ndajë, por të bashkojë Europën”.

Ai iu referua kështu kritikave të vazhdueshme nga Brukseli, se një takim i tillë me Kinën minon unitetin e Bashkimit Europian.

Bashkëpunimi i Pekinit me vendet europianolindore e alarmon BE-në, që konsideron se bëhet fjalë për një strategji “përça e sundo”.

Kryeministri Keqiang theksoi në Sofje se Kina do të ndjekë politikën e tregjeve të hapura, zotim ky që erdhi pak pasi Uashingtoni dhe Pekini vendosën tarifa doganore reciproke në vlerën e 34 miliard dollarëve.

Keqiang u përpoq me çdo mënyrë të tregonte se Kina do të vazhdojë të mbajë të hapur derën për produkte të huaja, sepse tregtia e hapur siguron rritjen ekonomike globale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button