Kosova

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, rryshfet nga “Bechtel” për tender

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell dyshohet se ka marrë rryshfet nga kompania “Bechtel”, me qëllim që kjo të fitonte tenderin për ndërtimin e një autostrade në Kosovë. Ky është zbulimi i agjencisë Foreign Policy, sipas së cilës, tenderi për ndërtimin e rrugës në Kosovë ka pasur një vlerë prej 1.3 miliardë dollarësh. FP shkruan se kjo kontratë është bërë në dëm të qytetarëve të Kosovës, pasi tani, një pjesë e mirë e saj nuk përdoret.

“Një nga shtetet më të varfra në Europë kishte nevojë për një rrugë, ndaj kontraktuesi amerikan “Bechtel” e mori atë për 1.3 miliardë dollarë, me mbështetjen e një ambasadori të fuqishëm amerikan. Mirëpo, më e çuditshmja është se autostrada nuk u përdor dhe ambasadori tani punon për kompaninë ‘Bechtel'”, e nis shkrimin investigativ agjencia FP.

Më tej thuhet se: “Autostrada me gjatësi 48 milje, me katër korsi përfundoi në nëntor 2012 për 1.3 miliardë dollarë (25 milionë dollarë për milje), sipas shifrave zyrtare të qeverisë së Kosovës. Ajo është vepra publike më e shtrenjtë në historinë moderne të Kosovës dhe një nga rrugët me cilësinë më të lartë në Ballkan. Mirëpo sot, ajo është praktikisht bosh, pasi përdoret në më pak se një të tretën e kapacitetit të saj, sipas përllogaritjeve qeveritare të trafikut dhe të dhënave nga ekspertë ekonomikë ndërkombëtarë.

“Rruga kalon në një nga shtetet më të varfra të Europës juglindore, ku një në tre njerëz jetojnë në varfëri ( më pak se 2.18 dollarë në ditë).  Pyetja se kush do ta përdorte autostradën e Kosovës mbetet ende e paqartë”, shkruan agjencia, duke vijuar se “ajo që është e qartë është që, rruga në fjalë përbën projektin më të fundit të ndërtuar nga “Bechtel” në Ballkan, për të cilin ka pasur shqetësime lidhur me transparencën si dhe akuza për korrupsion. Nga ana e saj, kompania i ka mohuar këto zëra me anë të zëdhënësit të saj, Michele Michael, i cili ka deklaruar se praktikat e tyre të biznesit janë “etike”.

Bechtel, kontraktuesja më e madhe në Shtetet e Bashkuara dhe e treta në arenën ndërkombëtare ka ndërtuar rrugë të shtrenjta në Kosovë, Kroaci, Rumani dhe Shqipëri, sipas vlerësimit të “Engineering News-Record”. Edhe një hetim 6-mujor i Universitetit të Kalifornisë gjeti se, institucionet qeveritare dhe ndërkombëtare kishin pasur probleme para se “Bechtel” të kontraktohej prej tyre. /FP

“Bechtel” pati probleme edhe në Shqipëri

Charles Redman, një zv.president i në “Bechtel” nga viti 1996 në 2008-n, diplomat amerikan i dalë në pension, asistent sekretar dhe zëdhënës i DAP  ka punuar drejtpërdrejt në qeverinë e Shqipërisë. Në vitin 2006, Redman takoi kryeministrin e atëhershëm, Sali Berishën, i cili kishte vendosur të ndërtonte “Rrugën e Kombit”, e cila do të shtrihej nga porti i Durrësit në kufi me Kosovën – një prioritet ky i administratës së tij dhe premtim i fushatës së 2009-ës, vijon FP.

Banka Botërore i ofroi ndihmë financiare Shqipërisë për të përgatitur një procedurë tenderi për kontraktuesit lokalë për ndërtimin e rrugës me dy korsi. Ekonomistët e BB-së thonë se rruga do të kushtonte rreth 1/3 e çmimit, duke i kursyer buxhetit të shtetit 700 milionë dollarë (rreth 5% të GDP-së së Shqipërisë). Berisha këmbënguli që autostrada të ishte me katër korsi dhe e donte që ajo të ndërtohej sa më shpejt. “Bechtel” e ndihmoi!

Një zbulim i “Wikileaks” në 2006-n citonte ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Bashën, se i kishte thënë ambasadorit Dell se Tom Ridge, ish-sekretar amerikan i sigurisë në SHBA, asokohe këshilltar i Berishës, se do ta shihte propozimin e “Bechtel” për qeverinë Berisha dhe do t’i jepte rekomandime sesi t’i përballonte refuzimet e BB-së. Mirëpo projekti u jetësua me anë të një procedure të shpejtë dhe pa vonuar shumë, detajet e tij u bënë publike. Në 2008-n, Basha dhe këshilluesi ligjor, Andi Toma u kallëzuan penalisht për shpërdorim detyre dhe shkelje të procedurave. Ish-Kryeprokurorja Ina Rama deklaroi atëherë se dëmi i shkaktuar shtetit shqiptar ishte 337 milionë dollarë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button