Itali, kapet kokainë me vlerë 70 mijë euro, shkatërrohet banda shqiptare
Një tjetër bandë e përbërë nga shqiptarë është goditur sot nga policia italiane në Ankona ku janë sekuestruar rreth 500 gram kokainë e pastër e cila vinte nga vendi ynë.
Në pranga ranë 5 persona mes tyre tre shqiptarët Edmond Hidri, Fatmir Dauti 27 vjeç dhe Kleo Shuturiqi i cili ishte edhe drejtuesi i grupit.
Hetimet e policisë italiane të bazuara në përgjimet telefonike e ambientale kanë zbuluar se kreu i kësaj bande Kleo Shuturiqi ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me bashkëpunëtorët e tij në Shqipëri, urdhëronte e organizonte dërgesat e kokainës si dhe shitjen e saj në Itali.
Mediat shkruajnë se vlera e drogës shkonte më shumë se 70 mijë euro.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 700 gramë hashash dhe në shtëpitë e shqiptarëve janë gjetur rreth 16.500 euro.
Në aksionin e policisë italiane u angazhuan rreth 30 ushtarë të cilët çuan më pas në arrestimin e anëtarëve të bandës.