ITALI – Senati i hap rrugën rikthimit të energjisë bërthamore
ROMË, 24 shtator /ATSH-ANSA/- Senati italian miratoi dje ligjin që i jep qeverisë bazën ligjore për rikthimin e energjisë bërthamore në vend, me 81 vota pro, 51 kundër dhe 7 abstenime.
Ligji nuk parashikon menjëherë ndërtimin e centraleve bërthamore.
Ai i jep qeverisë 12 muaj kohë, për të hartuar rregullat që do të përcaktojnë prodhimin e energjisë bërthamore, autorizimet, sigurinë dhe menaxhimin e mbetjeve radioaktive.
Qeveria e Giorgia Meloni synon të përfshijë në të ardhmen reaktorë bërthamorë të gjeneratës së re, me argumentin se energjia bërthamore mund të ndihmojë në sigurinë dhe pavarësinë energjetike të Italisë.
Italia kishte katër reaktorë në funksion, por pas referendumit të vitit 1987, në periudhën pas katastrofës së Çernobilit, programi i saj bërthamor u ndërpre.
Vendimi i miratuar tani është ligjor dhe rregullator, si rrjedhojë ndërtimi i centraleve të reja do të kërkojë vendime dhe autorizime të tjera. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.