Italia drejt zgjedhjeve, Presidenti shpërndan parlamentin, zgjedhjet më 4 mars
Presidenti italian Sergio Mattarella shkriu të enjten parlamentin, përpara zgjedhjeve që pritet të prodhojnë një periudhë destabiliteti në ekonominë e tretë më të madhe të Eurozonës.
Me sondazhet e opinionit publik që flasin për një parlament të cunguar, ai tha se Italia duhet të përgatitet për përballjen me destabilitet, por nuk duhet të ketë frikë nga kjo dhe nënvizoi se situata të tilla tashmë janë të zakonshme në shumë vende evropiane.
“Nuk duhet ta dramatizojmë rrezikun e destabilitetit, ne jemi thuajse të mësuar me të”, tha ai, duke iu referuar ndryshimeve të shpeshta në qeverisjen e vendit, e duke shtuar se në vende të tjera evropiane ka pasur një italianizim të sistemeve politike.
Të gjitha partitë kryesore politike në Itali, premtojnë të ngrenë defiçitin buxhetor dhe të ulin taksat, pavarësisht borxhit të madh publik, ndërsa emigracioni pritet të jetë temë qendrore e zgjedhjeve, me Partitë djathtiste që paralajmërojnë shpesh për një pushtim emigrantësh.
Për momentin, lëvizja ‘5 yjet’ kryeson sondazhet e opinionit publik, me 28 për qind të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Paolo Gentilonit me rreth 23 për qind.
Sidoqoftë, pjesa më e madhe e vendeve në parlament, pritet t’i shkojnë një Aleance Konservatore të krijuar nga Forca Italia e Silvio Berluskonit, me rreth 16 për qind, Lega Nord e krahut të djathtë dhe vëllezërve të Italisë me respektivisht 13 dhe 5 për qind.