IZRAEL – Ish-polici hebre do të përfaqësojë një parti islamiste në parlament
– Një ish-zyrtar i lartë i policisë izraelite, hebre dhe vetëdeklaruar si sionist, pritet të bëhet pjesë e parlamentit të Izraelit si përfaqësues i partisë arabe islamiste Ra’am, pas rezultateve të zgjedhjeve të fundit, sipas AP.
Yoav Segalovitz, 67 vjeç, do të marrë një mandat në Knesset, parlamentin izraelit, pasi partia “Ra’am”, e drejtuar nga Mansour Abbas, fitoi tetë vende në zgjedhjet e së martës.
Segalovitz ka qenë më parë pjesë e partisë së qendrës “Yesh Atid”, por vendosi të bashkëpunojë me “Ra’am”, një parti konservatore arabe me orientim islamist.
Ky bashkëpunim ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik izraelit, pasi është një rast i pazakontë që një politikan hebre të përfaqësojë një parti të drejtuar nga arabët.
Ish-zyrtari i policisë tha se vendimi i tij synon të tregojë se hebrenjtë dhe arabët, mund të bashkëpunojnë politikisht, pavarësisht dallimeve fetare dhe ideologjike.
“Ne të gjithë jemi qytetarë të Izraelit. Të gjithë marrim pjesë në këtë shoqëri. Nëse duam të përparojmë, duhet të bashkëpunojmë”, deklaroi Segalovitz në një intervistë para zgjedhjeve.
Ai ka një karrierë të gjatë në strukturat e policisë izraelite dhe ka themeluar njësinë speciale “Lahav 433”, e cila merret me hetimin e krimeve të rënda, korrupsionit në nivelet e larta dhe krimit të organizuar.
Më vonë, ai shërbeu si zëvendësministër i Sigurisë Publike në qeverinë e drejtuar nga Naftali Bennett dhe Yair Lapid, gjatë viteve 2021-2022.
Në këtë detyrë, ai u angazhua veçanërisht në luftën kundër kriminalitetit dhe dhunës në komunitetet arabe të Izraelit.
Vendimi i tij për t’u bashkuar me “Ra’am” ka shkaktuar reagime të ndryshme.
Politikanë të krahut të djathtë e kanë kritikuar këtë bashkëpunim, ndërsa disa përfaqësues të partive të tjera arabe e kanë vënë në dyshim qëllimin e tij politik.
Megjithatë, drejtuesi “Ra’am, Mansour Abbas, e ka mbrojtur këtë zgjedhje, duke theksuar se partia ka nevojë për njerëz me përvojë në luftën kundër kriminalitetit, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare.
Në zgjedhjet e fundit, partitë e drejtuara nga arabët fituan gjithsej 18 vende në parlamentin izraelit, i cili ka 120 deputetë.
Ky rezultat u jep atyre një rol të rëndësishëm në negociatat për formimin e qeverisë së re.
Partia e kryeministrit Benjamin Netanyahu nuk arriti të sigurojë shumicën parlamentare, duke bërë që bashkëpunimi i mundshëm me partitë arabe të jetë një nga çështjet kryesore të negociatave politike.
Segalovitz dhe shtatë deputetët e tjerë të “Ra’am” pritet të bëjnë betimin më 10 nëntor.
Ende nuk dihet nëse partia do të bëhet pjesë e shumicës qeverisëse apo do të qëndrojë në opozitë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.