Jabllanoviq: Jemi bërë pjesë e institucioneve të Kosovës për interesat e Serbisë
Për pak caste pritet të filloj mbledhja e parë e Kuvendeve Komunale me shumicë serbe. Në këtë mbledhjen që po mbahet në Graçanicë, po marrin pjesë të gjithë kryetarët e komunave serbe, deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Lista Srpska dhe qytetarë serbë. Ndërsa, nga Serbia ka ardhur edhe Marko Gjuriq.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i ka mbledhur sot në Graçanicë të gjithë kryetarët e komunave të Kosovës, sipas komunikatës për opinion, që janë të banuar me shumicë serbe.
Në mbledhje, e cila ka filluar qy në orën dhjetë dhe në të cilën kanë folur përveç Gjuriqit, Lubomir Mariq dhe Branimir Stojanoviq, ka folur edhe ish-ministri për Kthim, Aleksandër Jabllanoviq. Ai ka deklaruar se ata si përfaqësues të serbëve në Kosovë kanë kryer detyrat e tyre dhe tash i mbetet Qeverisë së Kosovës të jetë më konstruktive dhe t’i kryejë detyrat e veta.
Ai ka shtuar se janë bërë pjesë e institucioneve të Kosovës për interesat e Serbisë e në asnjë mënyrë për interesa personale apo partiake.
“Fatkeqësisht që sot ka njerëz që mendojnë ta pastrojnë Kosovën por unë jam i sigurt që edhe mes shqiptarëve mund të gjejmë njerëz me të cilët do të kemi gjuhë të përbashkët dhe marrëveshje. Ne detyrat tona i kemi kryer kemi dal në zgjedhjet lokale dhe parlamentare, kemi qenë pjesë konstruktive e Qeverisë dhe tash presim që kjo qeveri të jetë më konstruktive dhe t’i realizojë detyrat e veta. Prej që kemi ardhur ne serbët nuk po ndahen në veri dhe jug, por ndahen në serbë të mençur dhe jo të mençur”, ka thënë ai.
Takimi i tyre është duke vazhduar pa praninë e medieve.