JEMEN – Të paktën 53 të vrarë nga sulmi i rebelëve Houthi ndaj një kampi ushtarak
SANA, 20 tetor /ATSH-DPA/- Të paktën 53 persona kanë humbur jetën nga një sulm me raketa i kryer nga rebelët Houthi të Jemenit ndaj një kampi stërvitor ushtarak, njoftuan sot autoritetet.
Më shumë se 200 ushtarë të tjerë janë plagosur nga sulmi në provincën Shabwa, në jug të Jemenit, sipas zyrtarëve vendorë.
Ky ishte një nga sulmet më vdekjeprurëse të rebelëve shiitë kundër forcave qeveritare që prej shtatorit, kur përleshjet në Jemen u intensifikuan sërish.
Raportimet e para flisnin për më shumë se 30 viktima.
Megjithatë, shifrat e të vrarëve dhe të plagosurve nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Një zëdhënës i ushtrisë tha se rebelët Houthi kishin lëshuar tri raketa drejt një kampi stërvitor në Shabwa, ku po trajnoheshin pjesëtarë të rinj të forcave të sigurisë.
Autoritetet vendore e dënuan sulmin, duke e cilësuar atë si një sulm tradhtar dhe të përgjakshëm.
Rebelët Houthi morën përgjegjësinë për sulmin të hënën, duke pretenduar se kishin shënjestruar trupa saudite në atë zonë.
Milicia Houthi, e mbështetur nga Irani, akuzoi gjithashtu Arabinë Saudite se kishte kryer më shumë se 200 sulme me raketa dhe nga ajri ndaj Sanas dhe provincave të tjera brenda 48 orëve.
Sipas saj, që nga përshkallëzimi i fundit i konfliktit janë kryer më shumë se 2 700 sulme të tilla.
Arabia Saudite lufton përkrah qeverisë së Jemenit, të njohur ndërkombëtarisht, dhe grupeve të armatosura aleate të saj, me synimin për të zmbrapsur rebelët Houthi.
Këta të fundit kanë shtuar gjithashtu sulmet ndaj Arabisë Saudite.
Koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite njoftoi sot se kishte interceptuar një tjetër raketë që synonte kryeqytetin saudit, Riadin. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.