Kronika

Julian Sinanaj pranon dy vrasje në Greqi

“Sekti i Revolucionarëve”, Antiterrori dhe gjyqtarët e Apelit marrin dëshminë në Shqipëri 

Julian Sinanaj, vrasesi me pagese
Julian Sinanaj, vrasesi me pagese

Që ditën kur u arrestua, Julian Sinanaj, 27-vjeçari shqiptar që njihet si vrasës me pagesë, policia greke kishte kërkuar ta pyeste, sepse dyshonte për disa krime të ndodhura në Greqi, teksa kohët e fundit ekspertët grekë dhe më konkretisht, ata të Gjykatës së Apelit të Athinës, i kanë konkretizuar veprimet, duke ardhur në Tiranë, për ta pyetur në lidhje me disa ngjarje të rënda në shtetin fqinj. Paralelisht me hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Julian Sinanaj është marrë në pyetje jozyrtarisht nga dy hetues të Gjykatës së Apelit në Athinë. Faktet e reja i publikon e përditshmja greke “Kathimerini”, e cila thekson se gjyqtarët kanë mbërritur në Tiranë disa ditë më parë dhe kanë marrë dëshmi nga Sinanaj në mënyrë jozyrtare dhe në prani të prokurorëve shqiptarë, por përmbajtja e këtyre dëshmive nuk bëhet e ditur. Sipas një zyrtari të lartë të policisë greke, të cilit i referohet gazeta “Kathimerini”, Sinanaj ka pranuar para dy hetuesve nga Athina edhe dy vrasje ende të pazbardhura nga drejtësia greke, njëra prej të cilave në zonën Nea Erithrea dhe tjetra në lagjet jugore të kryeqytetit grek. Marrja në pyetje, sipas gazetës greke, ka lidhje direkt me zhvillimet e fundit që bëjnë fjalë për hetimet e prokurorisë kundër disa personave në rastin e “Sektit të Revolucionarëve”. Menjëherë pas dënimit, një nga këta anëtarë, kishte argumentuar se ky sekt ishte përgjegjës për vrasjen e gazetarit Sokratis Giolias. Sektori grek i Antiterrorit, gjatë verës, u ka dorëzuar një letër-porosi edhe autoriteteve qipriote. Pak muaj më parë, veç organeve greke të sigurimit, kërkesë për të hetuar Sinanajn kanë bërë edhe Shërbimi i Antiterrorit, por asnjë kërkesë nuk ka marrë përgjigje nga policia shqiptare, thekson “Kathimerini”. Sipas gazetës greke, Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Prokurorisë së Apelit të Athinës për bashkëpunim juridik, që nënkupton marrjen pjesë në hetimet e 27-vjeçarit shqiptar, me praninë e prokurorëve shqiptarë. Në këtë mënyrë, dëshmia e tij do të ishte pjesë e hetimeve të papërfunduara të organeve gjyqësore greke, pasi Sinanaj kishte deklaruar se ishte një vrasës me pagesë, një ekzekutues i të ashtuquajturave “kontratat e vdekjes”. Pas arrestimit të tij 25 janarin e kaluar, ai pranoi se në qershor të vitit 2011 kishte vrarë dy persona në lagjen “Gazi” në Athinë. Gjithashtu, më 15 maj të atij viti ai ka pohuar se ka qenë pjesëmarrës në sulmin me bombë në Gjykatën e Selanikut, përgjegjësinë e të cilit e mori organizata terroriste “Komploti i Celulave të Zjarrit”. Nga ana tjetër, Sinani përfshihet si një ndër tre të dyshuarit si vrasës i dy anëtarëve të Agimit të Artë. Mësohet se shërbimi kundër terrorizmit në shtetin helen thotë se shqiptari mund të jetë 27-vjeçari Julian Sinanaj, i cili ka një dosje të pasur kriminale në Greqi. Këtë policia greke e lidh me faktin se Julian Sinanaj ka pohuar se është paguar nga një forcë politike e ekstremit të majtë, për vënien e një bombe në Gjykatën e Selanikut, dhe se ka zbatuar disa kontrata vdekjeje ndaj një shpërblimi 25,000 euro për secilën. Para pak ditësh, Prokuroria e Krimeve të Rënda zbardhi krimet e vrasësit me pagesë, Julian Sinanaj, i cili është paguar për të vrarë biznesmenë dhe persona të tjerë. Nga hetimet 9-mujore u faktuan pesë episode, kryesisht mbi bazën e dëshmisë së tij dhe provave të marra në terren. Sipas aktakuzës, shtatë persona janë dërguar në gjykatë, të akuzuar për grup të strukturuar kriminal, ndërsa në fokusin e hetuesve ka qenë edhe plani për të eliminuar një nga biznesmenët më të fuqishëm të hidrokarbureve, Pirro Bare. Prokuroria dërgoi në gjykatë edhe “porositësin” e këtij atentati, Ilir Karçini, si dhe ndërmjetësit, kushërinjtë Genis dhe Andon Mëhillaj. Si i pandehur, në gjykatë shkoi edhe Ndriçim Gjokona, Marion Mitro dhe Albin Mexhaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button