Kabineti izraelit urdhëron ushtrinë të përgatitet për sulm të mundshëm ndaj Iranit, Teherani kërcënon edhe bazat në Evropë
Kabineti izraelit i sigurisë, i udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu, ka urdhëruar ushtrinë të rrisë përgatitjet për një sulm të mundshëm ndaj Iranit, raportuan të mërkurën mediat izraelite, siç njofton Al Jazeera. Zyra e Netanyahut nuk e ka konfirmuar publikisht urdhrin. Vendimi vjen pas javësh raportimesh se shefi i shtabit të ushtrisë, Eyal Zamir, i kishte rezistuar presionit të kryeministrit për veprime që mund të shkaktonin një luftë të re, duke kërkuar pikërisht një vendim formal të kabinetit përpara çdo hapi.
Urdhri ka shkaktuar menjëherë reagim politik në Izrael. Lideri i opozitës Gadi Eisenkot, të cilit i është dhënë mundësia të formojë qeverinë e re pasi koalicioni i Netanyahut humbi shumicën parlamentare në zgjedhjet e tetorit, i kërkoi kryeministrit në detyrë të përmbahet dhe të mos e përdorë ushtrinë “pa një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm” derisa të formohet qeveria e re, duke e paralajmëruar kundër “lëvizjeve të rrezikshme që mund të presin”. Mediat izraelite kanë raportuar gjithashtu se një operacion i planifikuar përpara zgjedhjeve u ndal pas ndërhyrjes së Uashingtonit — pretendim që zyra e Netanyahut e ka mohuar.
Nga Teherani, përgjigjja erdhi po të mërkurën mbrëma. Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Mohsen Rezaei, paralajmëroi se bazat ushtarake “nga Azia Perëndimore në Evropë” që do të merrnin pjesë në sulme kundër Iranit do të jenë objektiva “legjitime” hakmarrjeje. “Nëse SHBA-ja nis një luftë tjetër kundër Iranit, çdo bazë ushtarake e përfshirë në agresion, nga Azia Perëndimore në Evropë, do të jetë objektiv legjitim për goditjet vdekjeprurëse të Iranit”, tha Rezaei në një postim në rrjetet sociale, duke shtuar: “Asnjë distancë e sigurt. Asnjë strehë e sigurt. Asnjë imunitet.” Paralajmërimi përsërit deklaratat e tij të mëparshme se Teherani do të godiste edhe bazat amerikane në Evropë, nëse avionët amerikanë do të ngriheshin prej tyre për të bombarduar Iranin.
Zhvillimet vijnë ndërsa administrata e presidentit Donald Trump duket e ndarë për strategjinë ndaj Iranit. Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka thënë se fushata e presionit ekonomik po funksionon aq mirë sa operacionet e mëdha ushtarake nuk janë të nevojshme, ndërsa zëvendëspresidenti JD Vance raportohet se favorizon një marrëveshje të negociuar me Teheranin. Sipas Axios, administrata është përqendruar te intensifikimi i presionit ekonomik duke shmangur rikthimin në luftë të plotë, dhe Trump ka sinjalizuar se goditjet e reja janë të pamundura, ndonëse mban në fuqi bllokadën detare ndaj porteve iraniane. Një sondazh Reuters/Ipsos ka gjetur se 71 për qind e amerikanëve favorizojnë legjislacion kongresional për ndalimin e luftës.
Irani, nga ana e tij, ka refuzuar propozimin amerikan për transferimin e stokut të tij të uraniumit të pasuruar 60 për qind te një vend i tretë dhe këmbëngul se Uashingtoni duhet t’u përgjigjet kushteve të Teheranit përpara se të rifillojnë negociatat, ndërsa ndërmjetësimi katar vazhdon.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.