Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj tre personave, u kapën duke shitur kokainë
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj të pandehurve A.I., B.M., dhe F.U., për veprat penale “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, më 22.04.2025, rreth orës 15:00, në Prishtinë, të pandehurit duke vepruar në bashkëkryerje dhe pas koordinimit paraprak, pa autorizim kanë realizuar shitjen e 1 kilogram kokainë në vlerë prej 27,000 eurosh, ndërsa gjatë kontrolleve policore janë sekuestruar gjithsej 4 kilogramë e 955.62 gramë kokainë si dhe pajisje për paketimin e narkotikëve.
“Përveç pikës së parë të aktakuzës, të pandehurit F.U. dhe B.M. akuzohen edhe për kryerjen e veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi që, nga një datë e pavërtetuar e deri më 22.04.2025, në Prishtinë, në kundërshtim me Ligjin për Armët, kanë mbajtur në pronësi dhe nën kontroll, në mënyrë të paautorizuar, armë zjarri të llojit pistoletë”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës konfiskimin e pasurisë, ndaj së cilës është nxjerrë urdhër ndalues përfundimtar, në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.