Politika

Kandidati i LSI-së: Pse është koha për drejtimin e ri në bashkinë e Kavajës

Kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim për Bashkinë e Kavajës, Maksim Kona ka rrëfyer pikat e forta të programit të tij nëse do të marrë besimin e qytetarëve për të drejtuar Kavajën.

Kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim për Bashkinë e Kavajës, Maksim Kona ka rrëfyer pikat e forta të programit të tij nëse do të marrë besimin e qytetarëve për të drejtuar Kavajën.

Kona ka theksuar ne nje interviste ne Panoram se Bashkia e Kavajës ka nevojë për një drejtim të ri të saj, që të mundësojë uljen e taksave dhe të hapë vende të reja të punës. Ai ka thënë se ka në program shumë projekte për zhvillimin e qytetit, të cilat, sipas tij, do të mundësojnë një rritje të ekonomisë, turizmit dhe infrastrukturës së zonës. Maksim Kona ka theksuar se qytetarët duhet të votojnë për zhvillimin e qytetit dhe jo për premtimet e politikës së madhe që lidhen me vetingun apo me politikën e ditës. “Në Kavajë nuk garojmë për politikën e jashtme të Shqipërisë apo për politika të vetingut. Ne garojmë për ujërat e zeza apo për urbanistikën e Kavajës. Nëse do votohej për këto, ndoshta mund të diskutohej, por në të kundërt nëse zgjedhjet lokale bëhen për nevoja të Kavajës, shanset janë të mëdha dhe unë dua të jem garues e fitues. Ne në Kavajë duam të japim një shembull konkret për këtë transformim”, ka thënë Kona.

Çfarë e shtyn një personalitet, i cili e ka ndërtuar jetën në Perëndim, madje duke nisur atje dhe karrierën akademike, për t’u kthyer në Shqipëri e për të kandiduar për kryetar bashkie në qytetin e Kavajës? 

Kam vite që merrem me studimin e Kavajës, infrastrukturën, urbanistikën, turizmin apo bujqësinë dhe këto i kam formuluar në studime e projekte konkrete. Këto janë në dijeninë e të gjitha institucioneve, si qeverisë qendore, ashtu dhe lokale, diçka është realizuar, por me deformime që kanë dëmtuar projektin bazë. Duke marrë parasysh faktin që për të realizuar projekte zhvillimore në Shqipëri, duhet të kalosh filtrin pervers të politikës lokale jo shumë kompetente, nuk më mbetet gjë tjetër që të kandidoj, sepse kam bindjen për një zhvillim konkret në punësim dhe mirëqenie të Kavajës sime, që më formoi e më dërgoi për studime në Itali.

Kandidimi juaj për kryebashkiak të Kavajës vjen si propozim i Lëvizjes Socialiste për Integrim, si e keni pritur këtë propozim dhe a keni pasur oferta edhe nga partitë e tjera?

Ky plan zhvillimor ka për qëllim frenimin e degradimit të Kavajës këto 25 vite nga vendi i 7-të i Shqipërisë në vendin e 22-të për nga rëndësia. Ky program ka për qëllim transformimin e qytetit në qytet bregdetar, një koncept historik ky. Kam kërkuar me shumë dëshirë që të isha një kandidat transversal dhe kam lobuar shumë për këtë. Por si kjo dëshirë, ashtu dhe kërkesa ime për të qenë kandidat i PS-së apo i PD-së nuk u morën aspak në konsideratë. Njohja personale me strukturat lokale të LSI-së dhe përputhja e programit tim me atë të LSI-së bënë të mundur që unë të kandidoj nën siglën e tyre, meqenëse sistemi zgjedhor pervers nuk lejon kandidatë të pavarur. Jam shumë i kënaqur që LSI-ja më vlerësoi mua dhe projektet zhvillimore që unë përcjell. Objektivi ynë është i përbashkët si në punësim, mirëqenie apo në zhvillim të qëndrueshëm e të integruar.

Sa shanse keni për të fituar garën e Bashkisë së Kavajës, duke pasur parasysh që kjo bashki është cilësuar tradicionalisht një bastion i PD-së, por edhe kohët e fundit si një pikë e fortë e PSsë, pas dy mandateve të fituara rresht nga ish-kryebashkiaku Elvis Rroshi?

Në Kavajë nuk garojmë për politikën e jashtme të Shqipërisë apo për politika të vetingut. Ne garojmë për ujërat e zeza apo për urbanistikën e Kavajës. Nëse do votohej për këto, ndoshta mund të diskutohej, por në të kundërt nëse zgjedhjet lokale bëhen për nevoja të Kavajës, shanset janë të mëdha dhe unë dua të jem garues e fitues. Ne në Kavajë duam të japim një shembull konkret për këtë transformim.

Cili është vizioni juaj për zhvillimin dhe të ardhmen e Kavajës?

Unë kam projekte zhvillimore për Kavajën të filluara që kur isha student në Politeknikun e Torinos dhe në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë, që unë gjatë karrierës kam angazhuar në hartimin e projekteve.

Cila mendoni se është pika juaj më e fortë në këtë garë?

Flitet gjithmonë për korrupsionin si e keqe e madhe e shoqërisë moderne. Flitet pothuajse në të gjithë botën, por përmasat shqiptare janë të frikshme. Por në Shqipëri korrupsioni është shoqëruar ose ka gjeneruar papërgjegjshmërinë, ose ka krijuar një administratë të zhveshur nga profesionalizmi. Kjo për mua ka rrënjosur ekonominë e vendit. Nuk mund të udhëhiqet administrata nga persona që nuk kanë punuar asnjë ditë në administratë, persona që nuk kanë formim profesional të mjaftueshëm. Them se eksperienca ime në fushën e implementimeve dhe hartimeve të projekteve brenda e jashtë vendit më jep bindjen se mund të jem i duhuri për drejtimin e qytetit.

Cilat janë problematikat kryesore të qytetarëve të Kavajës dhe plani juaj për zgjidhjen e tyre?

Problematikat kryesore të qytetit janë varfëria e papunësia dhe shkaktare për këtë janë politikat fiskale apo mungesa e infrastrukturës. Kavaja është vetëm 3 kilometra nga bregdeti dhe gjithë ajo ekonomi turistike e këtij sektori nuk gjeneron mirëqenie për banorët. Turizmi është primitiv dhe në një hark kohor të 30 ditëve, bujqësia e Kavajës nuk është aspak në funksion të këtij koncepti, urbanistika është klienteliste dhe nuk gjeneron mirëqenie. Po të dalim në fshat, mungesa e infrastrukturës së kanaleve vaditëse apo rrugëve është gangrena që shoqëron gjithë këto problematika. Kavaja vazhdon të vuajë mungesën e ujit të pijshëm 24 orë, dhe kjo është sfida permanente e saj. Kjo ka ardhur nga mungesa dhe kompetenca e personave që administrojnë procesin.

Paralelisht në qytetin e Kavajës do të votohet edhe për zgjedhjet parlamentare, si i shikoni ju shanset e LSIsë për të fituar në këtë qytet?

Jam një person që hyn në garë për kryetarin e Bashkisë Kavajë me mbështetjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Jam shumë krenar që programi im dhe i LSI-së përkojnë bashkë e për këtë arsye ne vijmë me një vizion të qartë për transformimin historik të Kavajës në qytet bregdetar. Për herë të parë në Kavajë shpaloset një vizion i qartë zhvillimi dhe mendoj bindshëm se është arsyeja e një fitoreje të merituar, jo demagogjike.

 Cili është mesazhi juaj për qytetarët e Kavajës për zgjedhjet e 25 qershorit?

Jemi duke shkuar fshat më fshat, lagje më lagje në gjithë territorin e Kavajës, në kërkim të disa burrave që të bashkohemi e të marrim në dorë fatet e familjeve tona dhe të djersës sonë. Është e pamundur të besohet që punët të udhëhiqen nga njerëz të papërgjegjshëm.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button