Kanye West dhe hekurudha Tiranë-Durrës, Tabaku akuzon qeverinë për prioritetet e buxhetit
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar sërish ndaj vendimit të qeverisë për të vendosur 4.3 milionë euro nga buxheti i shtetit në dispozicion të koncertit të Kanye West, duke e cilësuar këtë financim si shpërdorim të parave publike dhe drejtim të ekonomisë sipas interesave të fasadës, propagandës dhe një pakice të privilegjuar.
“4.3 milionë euro nga buxheti për të shpëtuar një koncert. Vetëm 1% kontribut vendas për të ndërtuar një hekurudhë jetike. Kjo është ekonomia e fasadës. Ky është sistemi i pakicës”, deklaroi Tabaku.
Në të njëjtën kohë, për hekurudhën Tiranë–Durrës, kontributi i drejtpërdrejtë i buxhetit të shtetit është vetëm 1% e financimit të huaj. Tabaku theksoi se hekurudha lidh kryeqytetin me Durrësin, portin dhe aeroportin, ul trafikun, ndotjen dhe kostot e transportit, rrit produktivitetin dhe mund të prodhojë përfitime ekonomike shumëfish më të mëdha sesa një aktivitet njëditor.
“Ministri i Financave premtoi se koncerti nuk do t’i kushtonte buxhetit asnjë lek. Sot buxheti i jep 4.3 milionë euro. Ndërsa një hekurudhe jetike i jep vetëm 1%. Kjo nuk është rastësi dhe as paaftësi. Kështu funksionon sistemi socialist”, u shpreh Tabaku.
Ajo denoncoi gjithashtu mënyrën se si projekti i hekurudhës Tiranë–Durrës është copëzuar në disa hua dhe kontrata të veçanta. Në komisionet parlamentare, sipas saj, mbërrijnë vazhdimisht kërkesa të reja për borxh: një herë për stacionin e trenit në Tiranë, një herë për elektrifikimin e linjës dhe një herë tjetër për lokomotivat.
“Një projekt që duhej menduar, projektuar dhe financuar si një i tërë, copëtohet në hua, shtesa dhe kontrata të pafundme. Sepse ky sistem nuk është ndërtuar për të përfunduar punët, por për të prodhuar kontrata, borxhe dhe hapësira për klientelizëm”, deklaroi ajo.
Sipas Tabakut, pas fasadës së koncertit ndodhet Shqipëria reale: një vend ku informaliteti në tregun e punës mbetet i lartë, mijëra qytetarë punojnë të padeklaruar ose deklarohen me pagë minimale, ndërsa humbasin kontributet, vitet e punës dhe të drejtën për një pension dinjitoz.
“Ky është një sistem që nuk investon aty ku prodhohet zhvillim, por aty ku prodhohet propagandë. Nuk ndërton ekonomi të qëndrueshme, por shfaqje të përkohshme. Nuk punon për shumicën, por për një pakicë që përfiton nga çdo vendim, çdo kontratë dhe çdo rialokim buxhetor”, deklaroi Tabaku.
Sipas saj, çështja nuk është më vetëm financimi i një koncerti, por ekzistenca e një modeli të tërë qeverisjeje. Tabaku deklaroi se e vetmja rrugë për të ndryshuar këtë model është largimi i qeverisë dhe çmontimi i sistemit ekonomik dhe politik që ajo ka ngritur.
“Ndërsa Kuvendi përgatitet të ngrejë dorën për një tjetër rialokim buxhetor që nuk u shërben shqiptarëve, ai nuk po financon thjesht një koncert. Po financon fasadën e një sistemi arrogance, klientelizmi dhe korrupsioni që tashmë nuk përpiqet as ta fshehë fytyrën”, përfundoi Tabaku.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.