Kapet 1 kg heroinë në Tiranë, dyshohet se transportohej drejt Italisë
Sot në 7 qershor, Policia e Tiranës ka finalizuar një operacion kundër shpërndarjes së drogave të forta në kryeqytet.
Në total janë sekuestruar 1 kilogramë heroinë, ndërsa në pranga janë vendosur 2 persona.
Të arrestuarit janë G.M 51 vjeç banues në Tiranë dhe Sh.P 35 vjeç banues në Gjirokastër.
Dyshohet se lënda narkotike do shpërndahej në zonën e Tiranës së Re në kryeqytet.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Intensifikohen kontrollet dhe goditjet ndaj veprimtarisë kriminale të furnizimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Finalizohet faza e tretë e operacionit policor të koduar “Zonat”.
Goditet një tjetër rast i furnizimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të forta. Sekuestrohen mbi 1 kg heroinë. Vihen në pranga 2 shtetas.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe parandalimin e shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve finalizoi me sukses fazën e tretë të operacionit policor të koduar “Zonat”, duke goditur një tjetër rast të furnizimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të forta.
Si rezultat i kësaj faze të operacionit, u arrestuan në flagrancë shtetasit G. M., 51 vjeç, banues në Tiranë, dhe Zh. P., 35 vjeç, banues në Gjirokastër. Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe pas një pune hetimore e operacionale të mirëorganizuar, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe ndaluan automjetin me të cilin qarkullonin këta shtetas, në rrugën “Prokop Mina”.
Gjatë kontrollit të automjetit dhe kontrollit fizik, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 kg e 71 gramë lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas do të furnizonin shtetas të tjerë me këtë sasi lënde narkotike, me qëllim shpërndarjen e saj në doza në zona të ndryshme të kryeqytetit, kryesisht në zonën e Tiranës së Re.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.
Gjatë fazave të para dhe të dytë të operacionit “Zonat”, janë sekuestruar mbi 1 kg lëndë narkotike e dyshuar kokainë dhe janë vënë në pranga dy poseduesit e saj. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Heroina do transportohej drejt Italisë?
Siç raporton gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj, G. M konsiderohet nga antidroga e Tiranës si një furnizuesit kryesor të heroinës në Tiranë.
Nga policia dyshohet se prej vitesh furnizon grupe kriminale të shitjes së heroinës në kryeqytet. Heroina sipas burimeve të policisë është marrë në Elbasan, pasi G.M dyshohet se ishte i lidhur me grupet kriminale në këtë qytet. Origjina e drogës mësohet se është Turqia.
Vlera e heroinës të sekuestruar nga agjentët e Antidrogës kap vlerën mbi 50 mijë euro në treg. G.M figuron i dënuar më përpara për drogë, teksa ka dyshime se heroinën e transportonte edhe drejt Italisë.
/tvklan.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.