Karakaçi: Pritet të falen rreth 36 mijë fatura të energjisë elektrike të viteve 2008-2013
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të nisë një ligj të posaçëm për faljen e rreth 36 mijë faturave të energjisë elektrike të viteve 2008-2013, pasi u konstatua se detyrimet dhe gjobat ishin vendosur padrejtësisht.
Rreth 36 mijë fatura të energjisë elektrike të viteve 2008-2013 pritet të falen, pasi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka konstatuar se detyrimet dhe gjobat e vendosura në atë periudhë ishin të padrejta. Njoftimi u bë nga ministri Enea Karakaçi, siç njofton Shqiptarja.com, në kuadër të komunikimit me qytetarët përmes platformës “Fol me Kryeministrin”.
Sipas të dhënave të bëra publike, në këtë platformë kanë mbërritur 68 raste që lidhen me fushën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Prej tyre, 34 janë trajtuar deri më tani, ndërsa 34 të tjera vijojnë të jenë në shqyrtim nga strukturat përkatëse.
Karakaçi theksoi se një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga qytetarët ka të bëjë pikërisht me detyrimet dhe gjobat për energjinë elektrike të periudhës 2008-2013. Për këtë arsye, një grup pune i ngritur nga ministria i shqyrtoi këto raste dhe arriti në përfundimin se ato ishin vendosur në mënyrë të padrejtë ose të gabuar.
Nisur nga ky konstatim, ministria do të nisë procedurën për një ligj të posaçëm që do të mundësojë faljen e tyre. Bëhet fjalë për rreth 36 mijë fatura të energjisë elektrike të asaj periudhe, të cilat pritet të mos u kërkohen më qytetarëve.
Në fund, ministri Karakaçi i inkurajoi qytetarët që të vijojnë të shkruajnë në platformën “Fol me Kryeministrin”, duke e konsideruar komunikimin e drejtpërdrejtë me ta një mënyrë për të adresuar problemet konkrete dhe për të gjetur zgjidhje për to.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.