Kasami: Udhëheqësit e UÇK-së u dënuan mbi bazën e provave nga Beogradi
Bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilal Kasami, deklaroi se nuk pajtohet me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë kundër katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke pohuar se një pjesë e provave janë siguruar përmes Beogradit.
Bashkëkryetari i koalicionit VLEN dhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilal Kasami, ka deklaruar se nuk pajtohet me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, me të cilin katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan me burgime të gjata. Sipas Kasamit, një pjesë e provave të përdorura në procesin gjyqësor janë siguruar përmes Beogradit.
Dhomat e Specializuara dënuan ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqin, me nga 25 vjet burg, ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin, me 18 vjet, ndërsa ish-deputetin Rexhep Selimin me 13 vjet burg. Aktgjykimi ka shkaktuar reagime të forta në Prishtinë, Tiranë dhe në Shkup, ku liderët politikë shqiptarë e kanë cilësuar vendimin si të padrejtë dhe të motivuar politikisht.
Kasami, i cili drejton komunën më të madhe me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, u shpreh se dokumentacioni mbi të cilin u ndërtua akuza buron, pjesërisht, nga arkivat dhe strukturat e Serbisë, çka sipas tij e vë në dyshim paanshmërinë e procesit. Ai kërkoi që çështja të shihet edhe në kontekstin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.
Në të njëjtën deklaratë, Kasami foli edhe për zhvillimet politike në vend. Ai pohoi se, pavarësisht mohimeve publike të Ziadin Selës dhe Afrim Shabanit, komunikimi për kalime politike drejt VLEN-it vazhdon, ashtu si edhe bisedimet për përfshirjen e mundshme të Ligës Shqiptare në Qeveri. Kasami shtoi se VLEN-i nuk kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, por është i gatshëm për to, duke u shprehur i bindur se koalicioni do të dalë fitues në bllokun shqiptar.
Burimi: Fokus



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.