☀️
Tiranë 31°C · Kthjellët 11 August 2026
S&P 500 7,741 ▼0.15%
DOW 53,906 ▼0.13%
NASDAQ 26,489 ▼0.44%
NAFTA 83.03 ▲1.1%
ARI 4,439 ▲0.44%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1548 EUR/GBP 0.8551 EUR/CHF 0.9349 EUR/ALL 93.1773 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3497 EUR/TRY 55.1133 EUR/JPY 183.60 EUR/CAD 1.6098 EUR/USD 1.1548 EUR/GBP 0.8551 EUR/CHF 0.9349 EUR/ALL 93.1773 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3497 EUR/TRY 55.1133 EUR/JPY 183.60 EUR/CAD 1.6098
₿ CRYPTO
BTC $63,578 ▼ -0.84% ETH $1,864 ▼ -0.63% XRP $1.0075 ▼ -1.33% SOL $74.9400 ▼ -1.07%
S&P 500 7,741 ▼0.15 % DOW 53,906 ▼0.13 % NASDAQ 26,489 ▼0.44 % NAFTA 83.03 ▲1.1 % ARI 4,439 ▲0.44 % S&P 500 7,741 ▼0.15 % DOW 53,906 ▼0.13 % NASDAQ 26,489 ▼0.44 % NAFTA 83.03 ▲1.1 % ARI 4,439 ▲0.44 %
EUR/USD 1.1548 EUR/GBP 0.8551 EUR/CHF 0.9349 EUR/ALL 93.1773 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3497 EUR/TRY 55.1133 EUR/JPY 183.60 EUR/CAD 1.6098 EUR/USD 1.1548 EUR/GBP 0.8551 EUR/CHF 0.9349 EUR/ALL 93.1773 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3497 EUR/TRY 55.1133 EUR/JPY 183.60 EUR/CAD 1.6098
11 Aug 2026
Breaking
Politika

KASH reagon ndaj deklaratave të Vuçiç për lumin Ibër: Uji nuk duhet të përdoret si instrument presioni

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka reaguar me shqetësim ndaj deklaratës së fundit të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, se autoritetet serbe po shqyrtojnë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër dhe se për këtë qëllim janë angazhuar ekspertë.

KASH e cilëson shqetësues faktin që një çështje me rëndësi jetike për burimet ujore, sigurinë energjetike dhe mirëqenien e qytetarëve po përdoret në një kontekst politik dhe si instrument i mundshëm presioni ndaj Kosovës.

“Lumi Ibër dhe sistemi i Ujmanit/Gazivodës kanë rëndësi jetike për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë, ekonominë dhe jetën e qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie”, thuhet në deklaratë.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë thekson se çdo ndërhyrje e njëanshme që mund të ndryshojë rrjedhën natyrore të një lumi ndërkufitar dhe të shkaktojë pasoja për një territor tjetër duhet të trajtohet me përgjegjësinë më të lartë dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Sipas KASH, përdorimi i burimeve të përbashkëta ujore duhet të bazohet në parimet e përdorimit të drejtë dhe të arsyeshëm, parandalimit të dëmit të konsiderueshëm ndaj palëve të tjera, bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit.

“Çdo projekt që synon ndryshimin e rrjedhës së një lumi ndërkufitar dhe që mund të ketë pasoja serioze për furnizimin me ujë, energjinë, mjedisin dhe jetën ekonomike të një territori tjetër nuk mund të trajtohet si një çështje thjesht e brendshme”, thotë KASH.

Duke iu referuar edhe kuadrit ndërkombëtar për menaxhimin e burimeve ujore ndërkufitare, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë thotë se çdo projekt me ndikim të mundshëm ndërkufitar kërkon transparencë, vlerësim të plotë të pasojave, njoftim dhe konsultim me palët e prekura. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë e konsideron të papranueshme përdorimin e ujit dhe burimeve të tjera jetike si instrument presioni politik.

“Një retorikë e tillë është në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit rajonal, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe parimeve mbi të cilat duhet të ndërtohet e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

KASH i bën thirrje Presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe institucioneve të Serbisë që të distancohen nga çdo ide apo veprim i njëanshëm që mund të cenojë sigurinë ujore, energjetike, ekonomike dhe mjedisore të Kosovës dhe qytetarëve të saj. KASH kërkon nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, OSBE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë që ta trajtojnë me seriozitet deklaratën e Vuçiçit dhe të kërkojnë transparencë e sqarime nga autoritetet në Beograd për ekzistencën e ndonjë projekti konkret që synon ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë thekson se stabiliteti dhe paqja afatgjatë në Ballkanin Perëndimor nuk mund të ndërtohen përmes kërcënimeve apo përdorimit të burimeve natyrore si mjete presioni, por përmes dialogut, bashkëpunimit, respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial dhe zbatimit të së drejtës ndërkombëtare.

Debati mes Shqipërisë dhe Serbisë u ndez pas deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili tha se Serbia mund të ndryshojë rrjedhën e lumit Ibër, një prej burimeve kryesore ujore që furnizon liqenin e Ujmanit në Kosovë. Ministri i Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha, reagoi duke i kërkuar Serbisë të mos përdorë ujin si mjet presioni politik dhe duke iu referuar detyrimeve që burojnë nga konventat ndërkombëtare. Nga pala serbe, ministri i Jashtëm Marko Gjuriç kundërshtoi reagimin shqiptar duke thënë “se këto janë çështjet e brendshme të Serbisë”, ndërsa debati u zgjerua edhe te çështja e Kosovës dhe pretendimet për “Shqipërinë e Madhe”.

Për çështjen reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili ironizoi kalimin e diskutimit nga çështja e lumit Ibër te pretendimet për “Shqipërinë e Madhe” dhe statusin e Kosovës. Rama bëri të qartë se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë, teksa shtoi se territori i Republikës së Kosovës dhe burimet natyrore brenda saj nuk mund të konsiderohen territor apo burime të Serbisë.

Deklarata e plotë e KASH

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) shpreh shqetësimin e tij të thellë lidhur me deklaratën e fundit të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, sipas së cilës autoritetet serbe po shqyrtojnë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër dhe kanë angazhuar ekspertë për këtë qëllim.

KASH e konsideron veçanërisht shqetësues faktin që një çështje që lidhet me burimet ujore, sigurinë energjetike dhe mirëqenien e qytetarëve përdoret në një kontekst politik dhe si instrument te mundshëm presioni ndaj Republikës së Kosovës.

Lumi Ibër dhe sistemi i Ujmanit/Gazivodës kanë rëndësi jetike për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë, ekonominë dhe jetën e qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie. Çdo ndërhyrje e njëanshme që mund të ndryshojë rrjedhën natyrore të lumit dhe të shkaktojë pasoja të konsiderueshme ndërkufitare duhet të trajtohet me përgjegjësinë më të lartë dhe në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.

KASH rikujton se e drejta ndërkombëtare e ujërave ndërkufitare mbështetet në disa parime themelore: përdorimin e drejtë dhe të arsyeshëm të burimeve të përbashkëta ujore; detyrimin e shteteve për të marrë të gjitha masat e përshtatshme për të parandaluar shkaktimin e dëmit të konsiderueshëm ndaj palëve të tjera; detyrimin për bashkëpunim dhe shkëmbim informacioni; njoftimin dhe konsultimin paraprak për masa të planifikuara që mund të kenë efekte të konsiderueshme ndërkufitare; si dhe mbrojtjen e ekosistemeve dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve ujore.

Këto parime janë të mishëruara, ndër të tjera, në Konventën e Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 mbi të Drejtën e Përdorimeve Jo-Lundruese të Rrjedhave Ujore Ndërkombëtare dhe reflektohen gjithashtu në Konventën e UNECE-së të vitit 1992 për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Rrjedhave Ujore Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare, si pjesë e kuadrit ndërkombëtar për menaxhimin paqësor dhe të qëndrueshëm të burimeve ujore të përbashkëta.

Në këtë kuptim, çdo projekt që synon ndryshimin e rrjedhës së një lumi ndërkufitar dhe që mund të ketë pasoja serioze për furnizimin me ujë, energjinë, mjedisin dhe jetën ekonomike të një territori tjetër nuk mund të trajtohet si një çështje thjesht e brendshme. Ai kërkon transparencë, vlerësim të plotë të ndikimit ndërkufitar, njoftim, konsultim dhe bashkëpunim me palët e prekura, në përputhje me normat dhe parimet relevante të së drejtës ndërkombëtare.

KASH e konsideron të papranueshme përdorimin e ujit dhe të burimeve të tjera jetike si instrument presioni politik. Një retorikë e tillë është në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit rajonal, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe parimeve mbi të cilat duhet të ndërtohet e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor.

KASH i bën thirrje Presidentit Vučić dhe institucioneve të Republikës së Serbisë të distancohen nga çdo ide apo veprim i njëanshëm që mund të cenojë sigurinë ujore, energjetike, ekonomike dhe mjedisore të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

Njëkohësisht, KASH u bën thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, OSBE-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë që ta trajtojnë me seriozitet këtë deklaratë dhe të kërkojnë transparencë dhe sqarime nga autoritetet e Beogradit lidhur me ekzistencën e çdo projekti konkret për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë rithekson se uji është një burim jetik që duhet të bashkojë dhe jo të ndajë popujt. Stabiliteti dhe paqja afatgjatë në rajon nuk mund të ndërtohen përmes kërcënimeve apo përdorimit të burimeve natyrore si mjete presioni, por vetëm përmes dialogut, bashkëpunimit, respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial dhe zbatimit të së drejtës ndërkombëtare.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.