Peja Peace Forum 2026: Dialog ndërkombëtar mbi paqen dhe vlerat njerëzore në epokën e inteligjencës artificiale
Peja do të mirëpresë më 14 Nëntor 2026 edicionin e tretë të Peja Peace Forum, i cili do të zhvillohet në Universitetin “Haxhi Zeka”, me temën “Revolucioni i Urtësisë: Vlerat njerëzore në epokën e inteligjencës artificiale” (The Wisdom Revolution: Human Values in the Age of AI).
I realizuar në partneritet me Komunën e Pejës, Universitetin “Haxhi Zeka” dhe Rotary Club Peja, forumi do të shërbejë si platformë dialogu ndërmjet përfaqësuesve institucionalë, akademikëve, ekspertëve dhe shoqërisë civile për të shqyrtuar ndikimin e inteligjencës artificiale në paqe, siguri, arsim dhe të drejtat e njeriut.
Në një kohë kur inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën se si jetojmë, mësojmë dhe marrim vendime, forumi do të vërë në qendër urtësinë njerëzore, gjykimin etik dhe përgjegjësinë.
Diskutimet do të përqendrohen në mundësitë dhe sfidat që sjell kjo teknologji, si dhe në nevojën që zhvillimi i saj t’i shërbejë mirëqenies së përbashkët dhe respektimit të dinjitetit të çdo njeriu.
Programi do të përfshijë një ligjëratë kryesore mbi urtësinë njerëzore në epokën e inteligjencës artificiale dhe tri panele tematike: IA për paqen dhe sigurinë njerëzore, Dinjiteti njerëzor, të drejtat e njeriut dhe arsimi në epokën e IA-së dhe Agjentët e IA-së, përgjegjësia njerëzore dhe e ardhmja e njerëzimit.
Një moment i rëndësishëm i forumit do të jetë prezantimi dhe nënshkrimi zyrtar i Deklaratës së Pejës 2026, si shprehje e angazhimit të përbashkët për paqen, mbrojtjen e vlerave njerëzore dhe zhvillimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale.
Për Pejën dhe Kosovën, ky takim ndërkombëtar krijon mundësi për shkëmbim përvojash, partneritete të reja dhe pjesëmarrje në debatet mbi të ardhmen e shoqërisë. Duke bashkuar perspektivat vendore dhe ndërkombëtare, Peja Peace Forum synon të forcojë rolin e qytetit si një qendër dialogu, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për paqen.
Edicioni i sivjetmë zhvillohet në kuadër të aktiviteteve që shënojnë 20-vjetorin e Rotary Club Peja, klubit të parë Rotary në Kosovë, duke ndërlidhur traditën e shërbimit ndaj komunitetit me përgjegjësinë për sfidat e së ardhmes.
Regjistrimi i pjesëmarrësve fillon në orën 09:30, ndërsa hapja zyrtare bëhet në orën 10:00. Punimet përfundojnë në orën 14:00, pasuar nga dreka dhe bashkëbisedimi. Përfaqësuesit e mediave ftohen të përcjellin punimet dhe mesazhet e forumit./Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.