GREQI – Përmbytje të mëdha godasin ishullin e Rodosit
ATHINË, 2 nëntor /ATSH-ANA/- Reshjet e dendura të shiut dhe përmbytjet kanë goditur sërish disa zona të Greqisë, ku më i prekur është ishulli turistik i Rodosit.
Reshjet në ishullin e Rodosit zgjatën për 17 orë, duke përmbytur rrugët dhe banesat në zonën e bashkisë së Arkangelosit, në verilindje të ishullit.
Pamjet e publikuara nga banorët në rrjetet sociale tregojnë se disa rrugë u shndërruan në rrjedha të fuqishme uji, duke vështirësuar lëvizjen.
Gjatë natës, autoritetet e mbrojtjes civile u dërguan banorëve një mesazh paralajmërues në telefonat celularë, duke u kërkuar të shmangnin daljet e panevojshme dhe të mos përdornin automjetet.
Ndërkohë, shkollat do të qëndrojnë të mbyllura deri në një njoftim të dytë.
Përmbytje janë regjistruar edhe në ishullin e Samosit dhe në qytetin portual të Volosit, ku zjarrfikësit janë angazhuar për të përballuar situatën.
Shërbimi meteorologjik grek “EMY” ka paralajmëruar se reshjet e dendura dhe stuhitë do të vazhdojnë deri nesër, kryesisht në pjesën perëndimore dhe veriore të vendit.
Moti gjatë muajit tetor në Greqi ka qenë jashtëzakonisht i keq, duke shkaktuar shqetësime edhe për turistët.
Stuhitë e forta kanë goditur vazhdimisht disa rajone të vendit.
Sipas Observatorit Kombëtar të Athinës, në disa zona janë regjistruar sasi jashtëzakonisht të mëdha reshjesh.
Në ishullin e Evias, në disa zona ranë 408 milimetra shi brenda katër ditëve, një sasi katër herë më e madhe se reshjet që zakonisht regjistrohen gjatë gjithë muajit tetor.
Ndërsa në ishullin e Kretës, në disa zona u regjistruan më shumë se 1,000 milimetra reshje gjatë mesit të tetorit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.