KATANIA – Etna mbulon me re hiri aeroportin “Fontanarossa”, që pezullon fluturimet
ROMË, 26 shtator /ATSH-DPA/ – Aeroporti i Katanias në Sicili është mbyllur përkohësisht për të gjitha fluturimet për shkak të një reje të dendur hiri vullkanik të shkaktuar nga aktiviteti i malit Etna.
Sipas një njoftimi të aeroportit “Fontanarossa”, të gjitha ngritjet dhe uljet janë pezulluar deri në orën 16:00 me orën lokale (14:00 GMT) të së shtunës.
Problemet në trafikun ajror ishin shtuar edhe nga një stuhi e fuqishme me bubullima gjatë natës, e cila kishte shkaktuar ndërprerje të tjera në operimin e fluturimeve.
Etna, që ndodhet në ishullin e Sicilisë, është vullkani më aktiv në Evropë.
Aktualisht, hiri po del nga krateri verilindor i vullkanit dhe po transportohet drejt jugut nga erërat.
Sipas Institutit Kombëtar Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), reja e hirit është ngritur deri në rreth 4 kilometra mbi sipërfaqe.
Për shkak të aktivitetit vullkanik është vendosur niveli i kuq i alarmit për aviacionin, niveli më i lartë në sistemin me katër shkallë.
I njëjti nivel alarmi ishte në fuqi edhe javën e kaluar dhe gjatë muajit gusht.
Mbyllja e përkohshme e aeroportit mund të shkaktojë vonesa, anulime dhe devijime të fluturimeve, veçanërisht nëse emetimi i hirit vazhdon ose era ndryshon drejtim.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.