Kelmendi i kërkon falje familjes së heroit Shaban Shala për fotografinë e përdorur gabimisht në “Rubikon”
Autori i emisionit "Rubikon", Adriatik Kelmendi, i ka kërkuar publikisht falje familjes së heroit të Kosovës, Shaban Shala, pasi fotografia e tij u shfaq gabimisht në një video të shkëputur nga emisioni.
Autori i emisionit “Rubikon”, Adriatik Kelmendi, i ka kërkuar falje familjes së heroit të Kosovës, Shaban Shala, pasi fotografia e tij u shfaq gabimisht në një video të shkëputur nga emisioni, siç njofton Klan Kosova.
Kelmendi sqaroi se mysafiri Vehbi Kajtazi kishte përmendur një person tjetër me të njëjtin emër dhe mbiemër, duke theksuar gjatë emisionit se nuk bëhej fjalë për heroin Shaban Shala.
“Na ka ndodhur një gabim teknik. Në njërën nga videot e shkëputura nga emisioni, për disa orë ka qëndruar fotografia e heroit të Kosovës, Shaban Shala”, tha Kelmendi, sipas raportimit të Klan Kosova.
“Gabimi është përmirësuar, por e ndiej obligim t’i kërkoj falje familjes. Ju siguroj se ka qenë krejtësisht i paqëllimshëm”, përfundoi Kelmendi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.