Këmbët e fryra pas udhëtimit ose ecjes: kur është normale dhe kur duhet kujdes
ROMË, 5 shtator /ATSH – ANSA/ – Pas një fluturimi të gjatë, një ecjeje prej disa kilometrash në mal apo pas ditëve të kaluara duke vizituar qytete turistike, këmbët mund të fryhen, deri në atë pikë sa këpucët të duken papritur gjysmë numri më të vogla.
Këmbët zakonisht janë më të lehta në mëngjes dhe më të ënjtura pasdite.
Për këtë arsye, ekspertët këshillojnë që këpucët e reja të provohen dhe të blihen në pjesën e dytë të ditës.
Për të ndihmuar në ngushtimin e enëve të gjakut, mund të përdoret edhe një rrjedhë uji i ftohtë në dush. Ndërsa banjat e këmbëve, edhe pse relaksuese, kanë efekt të kufizuar.
Shpesh i kushtojmë pak vëmendje këmbëve, derisa ato të fillojnë të na shqetësojnë.
Përveç flluskave, një problem i zakonshëm është edhe djersitja e tepërt. Këmbët mund të prodhojnë deri në një çerek litri djersë në ditë, duke krijuar lagështirë që favorizon shfaqjen e flluskave dhe infeksioneve mykotike.
Pas pushimeve, përpara se këmbët të mbyllen për muaj të tërë në këpucë dimërore dhe atlete, rekomandohet një kontroll i tyre.
Një nga rregullat kryesore është ecja zbathur, veçanërisht mbi bar dhe rërë.
Sipërfaqet e paqëndrueshme ndihmojnë në forcimin e stabilitetit dhe ekuilibrit.
Edhe ecja zbathur në dyshemenë e shtëpisë është e sigurt dhe nuk dëmton propriocepcionin.
Në të kundërt, duhet shmangur ecja zbathur në pishina, sauna dhe zona të tjera të lagështa ku ka shumë njerëz, për shkak të rrezikut të infeksioneve mykotike.
Kujdes gjatë ecjeve të gjata
Sipas një studimi të kryer nga kompania britanike InsureandGo, rreth gjysma e personave që shkojnë me pushime kanë përjetuar dhimbje në këmbë ose flluska
Në rreth 30% të rasteve, shqetësimet kanë qenë aq të forta sa i kanë detyruar të ndalojnë ose të heqin dorë nga planet e tyre gjatë udhëtimit.
Vapa dhe lagështira e këtij sezoni të gjatë veror mund ta përkeqësojnë situatën.
Podologia Federica Costantini këshillon që infraditot dhe shapkat të mos përdoren për ecje të gjata.
Në vend të tyre duhen zgjedhur këpucë që e mbajnë këmbën të fiksuar dhe kyçin e këmbës të qëndrueshëm.
Gjatë udhëtimeve këshillohet gjithashtu të merret me vete një palë këpucë rezervë, veçanërisht në rast se shfaqen flluska.
Flluskat mund të shfaqen pas thembrës, në zonat ku ka presion dhe fërkim, nën gishtin e parë ose të pestë, si dhe në pjesën e përparme të shputës.
Ekspertët rekomandojnë të kontrollohen rregullisht këmbët për skuqje në zonat ku ka fërkim.
Për ecje të gjata mund të përdoren çorape trekking prej fibrash natyrale, pa qepje dhe me material kundër flluskave.
Një alternativë është edhe veshja e çorapeve nga ana e kundërt për të shmangur kontaktin e qepjeve me lëkurën.
Nëse pavarësisht masave mbrojtëse shfaqen flluska, këshillohet përdorimi i një dezinfektuesi me spektër të gjerë dhe mbulimi me një fasho rezistente ndaj ujit.
Flluskat nuk duhet shpuar, pasi në këtë mënyrë ato mund të zvogëlohen gradualisht vetë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.