🌤️
Tiranë 23°C · Kryesisht kthjellët 27 May 2026
S&P 500 7,526 ▲0.09%
DOW 50,699 ▲0.47%
NASDAQ 26,679 ▲0.08%
NAFTA 88.92 ▼5.29%
ARI 4,484 ▼1.13%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1633 EUR/GBP 0.8645 EUR/CHF 0.9136 EUR/ALL 95.4953 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.4360 EUR/TRY 53.3932 EUR/JPY 185.22 EUR/CAD 1.6061 EUR/USD 1.1633 EUR/GBP 0.8645 EUR/CHF 0.9136 EUR/ALL 95.4953 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.4360 EUR/TRY 53.3932 EUR/JPY 185.22 EUR/CAD 1.6061
₿ CRYPTO
BTC $75,042 ▼ -1.09% ETH $2,058 ▼ -0.53% XRP $1.3287 ▼ -0.2% SOL $84.0100 ▲ +0.58%
S&P 500 7,526 ▲0.09 % DOW 50,699 ▲0.47 % NASDAQ 26,679 ▲0.08 % NAFTA 88.92 ▼5.29 % ARI 4,484 ▼1.13 % S&P 500 7,526 ▲0.09 % DOW 50,699 ▲0.47 % NASDAQ 26,679 ▲0.08 % NAFTA 88.92 ▼5.29 % ARI 4,484 ▼1.13 %
EUR/USD 1.1633 EUR/GBP 0.8645 EUR/CHF 0.9136 EUR/ALL 95.4953 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.4360 EUR/TRY 53.3932 EUR/JPY 185.22 EUR/CAD 1.6061 EUR/USD 1.1633 EUR/GBP 0.8645 EUR/CHF 0.9136 EUR/ALL 95.4953 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.4360 EUR/TRY 53.3932 EUR/JPY 185.22 EUR/CAD 1.6061
27 May 2026
Breaking
Opinion

Keqkuptimi dhe një shpjegim më përtej…

Nga LUAN RAMA

Debati që shpërtheu pas një shkrimi që unë publikova mbi pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë në një ritual fetar, ka prodhuar interpretime të ndryshme, shpesh të papajtueshme me njëra-tjetrën. Dhe kjo është normale. Çështjet që prekin marrëdhënien midis shtetit, simbolikës dhe besimit nuk kanë qenë kurrë çështje të thjeshta.

Pavarësisht toneve, motiveve apo gjuhës së përdorur, debatin e konsideroj të vlefshëm. Jo sepse prodhoi domosdoshmërisht qartësi, por sepse nxori në sipërfaqe një paqartësi shumë më të thellë: mënyrën se si kuptohet sot laiciteti dhe vetë ideja e neutralitetit shtetëror nga njëra anë, dhe mënyrën se si reagojmë kur nuk jemi dakord me tjetrin në anën tjetër, ku nuk kam parasysh reagimet instinktive dhe agresive, të cilat zakonisht nuk hyjnë në marrëdhënie me argumentin, por vetëm me nevojën për ta sulmuar atë.

Sepse ky debat nuk është vetëm juridik. Ai është konceptual. Dhe pikërisht aty fillon keqkuptimi.

Në debatin publik janë përzier dy regjistra krejt të ndryshëm: regjistri i lirisë individuale dhe regjistri i simbolikës institucionale e shtetërore.
Nga ky ngatërrim ka lindur edhe një seri leximesh që shpesh nuk kundërshtojnë argumentin, por një version të thjeshtuar të tij, më saktë të keqkuptuar.

Kjo është, fatkeqësisht, një prirje e zakonshme e debateve tona publike: çdo problem institucional reduktohet menjëherë ose në moral personal, ose në konflikt identitar.

Laiciteti, në kuptimin kushtetues, nuk është mohimi i fesë dhe as përjashtimi i saj nga jeta publike.
Ai është një parim organizues i marrëdhënies midis shtetit dhe besimit, sipas të cilit shteti nuk identifikohet me asnjë fe dhe nuk e përdor fenë si instrument përfaqësimi apo legjitimimi institucional.

Ky nuk është paragjykim ndaj besimit.
Është kufi institucional.

Ky dallim nuk do të duhej të ishte veçanërisht i vështirë për t’u kuptuar në një debat që pretendon seriozitet konceptual.

Por duket se në debatin tonë publik ekziston një vështirësi e çuditshme për të dalluar midis kritikës së simbolikës shtetërore dhe paragjykimit ndaj fesë. Sikur çdo diskutim mbi neutralitetin institucional të duhej medoemos të përfundonte në një akuzë morale ndaj autorit dhe jo në analizë të vetë problemit.

Laiciteti nuk është ideologji. Është strukturë juridike dhe kulturë kushtetuese. Ai nuk merret me shpirtin e individit, por me mënyrën se si shteti përfaqësohet në hapësirën publike.

Dhe këtu duhet bërë dallimi që një pjesë e reagimeve duket se e anashkalojnë me një lehtësi disi të nxituar: liria fetare e individit dhe neutraliteti simbolik i shtetit nuk janë e njëjta gjë.

E para i përket qytetarit. E dyta institucionit.

Ngatërrimi i këtyre dy niveleve prodhon dy reduktime të kundërta, por po aq problematike: ose idenë se çdo shfaqje fetare e një zyrtari është problem kushtetues, ose idenë se asnjë shfaqje nuk ka asnjë relevancë institucionale.

Të dyja janë lexime të mangëta e të derormuara të realitetit kushtetues.

Në sistemet kushtetuese moderne, Kryetari i Shtetit nuk është vetëm individ privat. Ai është simbol i unitetit të popullit dhe shprehës i unitetit institucional. Kjo nuk është metaforë politike, por kategori kushtetuese. Pra, edhe përgjegjësi kushtetuese po aq.

Dhe pikërisht për këtë arsye, veprimet e Presidentit të Republikës nuk lexohen vetëm në planin personal, por edhe në planin e përfaqësimit publik, varësisht nga konteksti dhe natyra e aktit.

Kjo nuk nënkupton zhveshje nga liritë themelore. Përkundrazi.
Por nënkupton se e njëjta liri, kur ushtrohet nga figura më e lartë përfaqësuese e shtetit, prodhon edhe kuptim institucional.

Kjo është pikërisht ajo pikë ku debatit publik i humbet durimi për të menduar në mënyrë më të ndërlikuar sesa përmes simetrive mekanike.

Sepse jo çdo ritual fetar është i njëjtë në mënyrën se si organizon kuptimin publik të vetvetes.

Disa rituale kanë karakter ceremonial, protokollar apo ndërfetar. Të tjera janë rite të strukturuara devocioni, me formë, përmbajtje dhe kuptim të brendshëm teologjik.

Dallimi nuk qëndron në vlerën e tyre shpirtërore. Dhe pikërisht këtu disa reagime duket se kanë zgjedhur të mos kuptojnë atë që është shkruar, por atë që është më e lehtë të polemizohet.

Dallimi qëndron në strukturën simbolike të aktit dhe në mënyrën se si ai lexohet kur kryhet nga figura që mishëron unitetin institucional të shtetit.

Në debat janë përdorur krahasime mekanike midis pjesëmarrjes në rituale të ndryshme fetare dhe vizitave protokollare në institucione fetare. Por këto raste nuk janë domosdoshmërisht të barabarta në kuptimin institucional.

Vizitat zyrtare dhe ceremonitë ndërfetare zhvillohen brenda një kornize përfaqësimi publik dhe protokollar. Ndërsa pjesëmarrja në një ritual fetar të strukturuar si akt devocioni individual krijon një tjetër regjim simbolik, pikërisht për shkak të natyrës së brendshme të ritualit.

Por debati ynë publik shpesh ka një prirje të çuditshme: të kërkojë simetri absolute aty ku institucionet funksionojnë mbi dallime konteksti, forme dhe kuptimi.

Shteti kushtetues nuk funksionon vetëm mbi norma të shkruara. Ai funksionon edhe mbi stabilitetin e mënyrës se si përfaqësohet dhe perceptohet.

Kjo nuk është çështje estetike. Është çështje e qartësisë dhe e përgjegjësisë institucionale.

Sepse shteti nuk humbet neutralitetin kur qytetarët besojnë. Ai fillon ta humbasë neutralitetin kur kufijtë midis rolit institucional, përgjefjësisë shtetërore dhe shfaqjes personale bëhen të paqartë.

Dhe kjo është arsyeja pse rreptësia protokollare nuk është formalizëm bosh, por një formë maturie kushtetuese.

Keqkuptimi i këtij debati nuk lidhet vetëm me mungesë informacioni. Lidhet edhe me një vështirësi më të thellë të kulturës sonë publike për të menduar shtetin si institucion autonom dhe jo si zgjatim emocional i individit që e përfaqëson atë.

Njëra palë e sheh çështjen nga perspektiva e lirisë individuale dhe barazisë së besimeve. Tjetra nga perspektiva e neutralitetit simbolik të shtetit dhe mënyrës se si ai përfaqësohet.

Asnjëra nuk e përjashton tjetrën. Por asnjëra nuk mund të reduktohet tek tjetra pa e varfëruar problemin.

Sepse çështja nuk është nëse besimi i një zyrtari është i pranueshëm në jetën publike.

Çështja është si ndërtohet kufiri midis individit dhe institucionit në një republikë kushtetuese që synon të jetë njëkohësisht pluraliste dhe neutrale.

Në fund, ndoshta vetë debati e provoi atë që shkrimi im i parë synonte të nxirrte në pah: sa e vështirë mbetet ende për debatin tonë publik të dallojë midis individit dhe institucionit, midis lirisë personale dhe neutralitetit simbolik të shtetit. Dhe kur këtë dallim nuk arrin ta bëjë ai që i pari e ka detyrim kushtetues, Presidenti i Republikës, atëherë është e kuptueshme – dhe deri diku e pritshme – që keqkuptimi të shtrihet edhe më përtej.

Një pjesë e reagimeve e lexuan çështjen si sulm ndaj besimit, të tjera si paragjykim kulturor, ndërsa disa të tjera e reduktuan menjëherë në moral personal apo preferencë ideologjike. Dhe pikërisht aty u shfaq keqkuptimi.

Mirëpo problemi nuk është feja. Problemi është kuptimi institucional i një akti kur ai kryhet nga figura që mishëron unitetin e shtetit.

Por debatet tona publike shpesh kanë një ngutje karakteristike: lexojnë më shpejt sesa mendojnë. Dhe kur mendimi zëvendësohet nga reagimi, konceptet fillojnë të rrëshqasin, kategoritë ngatërrohen dhe çdo dallim interpretohet si armiqësi.

Natyrisht, ka edhe raste kur problemi nuk lidhet me keqleximin, por me kufijtë e vetë botëkuptimit. Sepse jo çdo bindje ka të njëjtën aftësi për të menduar kompleksitetin e marrëdhënies midis shtetit, simbolikës dhe besimit.

Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye ishte i nevojshëm ky shpjegim, jo për Presidentin e Republikës, por, për më përtej.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.