Kërkohet arrestimi i Tahirit, Prokuroria: Kontroll edhe në banesë
Pas një hetimi dypalësh mes Shqipërisë dhe Italisë, Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkon Kuvendit autorizimin për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, aktualisht deputet i Partisë Socialiste.
Heqja e imunitetit nënkupton lënie dorë të lirë akuzës për të kërkuar në Gjykaten e Krimeve të Rënda arrestimin e ish-ministrit nga viti 2013 deri në marsin e 2017.
Prokuroria thotë se kjo kërkesë vjen në vijim të hetimit të nisur për veprat e trafikut të narkotikëve të kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërore.
Ky vendim vjen pas një analize më shumë se pesë orë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda me prokurorë që po hetojnë dosjen e Habilajve në Shqipëri, i konsideruar një grup kriminal i narkotrafikut ndërkombëtar.
Burime të rezervuara i thanë Top Channel se në Tiranë kanë mbërritur ose mbrëmjen e të mërkurës, ose mëngjesin e të enjtes, dy dokumente të rëndësishme që si duket kanë vulosur kërkesën e prokurorisë ndaj Saimir Tahirit.
“Në bazë të të dhënave të përftuara në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga Komisioni i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë dhënien e autorizimit për “arrestimin, heqjen e lirisë dhe kontrollin personal e të banesës” për deputetin Saimir Tahiri”, thotë Prokuroria.
Mësohet se organi i akuzës do përfaqësohet në Këshillin e Mandateve nga prokurorët Elisabeta Imeraj, Vladimir Mara dhe Besim Hajdërmataj.
Do të jetë ky këshill, i cili do të dëgjojë provat e prokurorisë që e dyshojnë deputetin Tahiri për përfshirje në këtë grup, përderisa Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendon se posedon të dhëna dyshuese ndaj Tahirit.
Më tej, pasi të dëgjohet prokuroria dhe Saimir Tahiri, Këshilli i Mandateve përpilon një raport, i cili i kalon Parlamentit për votim.