Këshilli i Integrimit, Kos: 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë në BE, duhet dialog politik. Lufta kundër korrupsionit dhe zbatimi i ligjit vendimtarë për procesin
Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke deklaruar se viti 2027 mund të jetë një vit vendimtar për vendin.
Gjatë fjalës së saj në Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian, Kos theksoi rëndësinë e gjithëpërfshirjes politike dhe shoqërore në procesin e integrimit, duke nënvizuar se reformat duhet të kenë mbështetje të gjerë për të qenë të qëndrueshme.
Sipas saj, vendi duhet të dëshmojë se institucionet funksionojnë dhe ligjet zbatohen në praktikë.
“BE-ja na ka sjellë hapësirën për dialog, hapësirën për paqe dhe liri, por edhe për begati. Ky Këshill, ku ndodhem sot, përfaqëson atë që nevojitet për ta ndjekur me sukses rrugëtimin e vendit drejt BE-së dhe më vjen mirë që shoh këtu një gjithëpërfshirje. Duhen rryma të ndryshme të politikës dhe të shoqërisë për të përmbushur aspiratat evropiane dhe kjo do t’u japë reformave legjitimitetin dhe mbështetjen e gjerë për të qenë të qëndrueshme në kohë. Ky vit ka qenë i mbarë për rrugëtimin e Shqipërisë në BE. Keni ndërmarrë reforma të rëndësishme dhe ky është themeli për të ndërtuar besimin me vendet tona anëtare dhe për të siguruar miratimin e 27 vendeve anëtare për t’u anëtarësuar në BE.
Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë. Udhërrëfyesi që kemi publikuar tregon rrugën që duhet ndjekur, por ne e dimë se udhërrëfyesi nuk përbën asnjë garanci në vetvete. Para anëtarësimit duhet të dëshmohet se institucionet funksionojnë dhe ligjet zbatohen në praktikë”, tha Kos.
Kos veçoi si vendimtare luftën kundër korrupsionit, arritjen e rezultateve konkrete dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian. Komisionerja nënvizoi se përparimi në këtë proces kërkon vullnet të jashtëzakonshëm politik, duke shtuar se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për t’ia dalë mbanë, por ky vullnet do të jetë i domosdoshëm edhe gjatë vitit të ardhshëm.
Komisionerja Kos vuri në dukje edhe mbështetjen e lartë të qytetarëve shqiptarë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke theksuar se ajo është më e larta krahasuar me vendet e tjera kandidate.
“Lufta kundër korrupsionit me rezultate konkrete dhe përafrimi i legjislacionit me atë të BE-së do të jenë vendimtare. Fokusi do të jetë te zbatimi dhe jo vetëm te fjalët.
Te zbatimi i ligjit shihet nëse institucionet janë të pavarura. Këto kërkojnë vullnet të jashtëzakonshëm politik dhe Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për t’ia dalë mbanë. Një vullnet i tillë do të jetë i domosdoshëm për vitin që vjen.
Shumica e shqiptarëve e mbështesin anëtarësimin në BE dhe kjo mbështetje është më e larta në të gjitha vendet kandidate”, tha ajo.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.