Përvoja arkivore dhe kërkimi shkencor, ura bashkëpunimi mes Tiranës dhe Prishtinës
Tiranë, 26 nëntor/ATSH/ Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) dhe Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë po shkojnë drejt një marrëveshjeje bashkëpunimi.
Delegacioni i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), mbërriti sot në AIDSSH, i kryesuar nga drejtori Atdhe Hatemi. Gjatë bisedimeve, palët përcaktuan piketat e bashkëpunimit në fushën e kërkimit shkencor. Autoriteti i Dosjeve bëri të ditur se, bashkëpunimi mund të përfshijë shkëmbimin e përvojës në administrimin dhe studimin e dokumentacionit arkivor, zhvillimin e projekteve kërkimore me interes të përbashkët dhe paraqitjen e rezultateve përmes botimeve dhe konferencave shkencore.
Delegacionin e priti Altin Hoxha, anëtar i Autoritetit të Dosjeve dhe drejtues i grupit të punës për hapjen dhe studimin e fondit arkivor “Kosova”.
Takimi në Tiranë erdhi në vijim të vizitës zyrtare së kryetares së AIDSSH-së, dr. Gentiana Sula, në Prishtinë, vizitë e zhvilluar pothuaj një vit më parë (15–16 dhjetor 2025).
Në takimin e atëhershëm në Institut, delegacioni i Autoritetit u njoh me punën për mbledhjen, sistemimin dhe ruajtjen e dokumenteve mbi krimet e luftës në Kosovë, si dhe me kërkimet për dokumentimin e represionit para luftës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.