KFOR-i me komandant të ri, NATO garanton vazhdimësinë e misionit në Kosovë
Gjeneralmajori italian Roberto Vergori ka marrë sot komandën e KFOR-it, duke zëvendësuar gjeneralmajorin turk Ozkan Ulutash, në një ceremoni të mbajtur në selinë e KFOR-it, në kampin Film City në Prishtinë.
Ceremonia u drejtua nga admirali George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli. Në të morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe të komunitetit ndërkombëtar.
Gjeneralmajori Ulutash e udhëhoqi misionin e KFOR-it nga tetori i vitit 2025. Ai kishte shërbyer në të njëjtin post edhe nga tetori i vitit 2023 deri në tetor të vitit 2024, duke u bërë oficeri i parë aleat në historinë e KFOR-it që shërben në dy mandate si komandant i misionit.
Në fjalimin e lamtumirës, Ulutash falënderoi të gjitha vendet kontribuuese me trupa, përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s, për mbështetjen dhe angazhimin e tyre.
Duke marrë detyrën e re, gjeneralmajori Roberto Vergori theksoi se misioni i KFOR-it dhe përkushtimi ndaj të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë do të mbeten të pandryshuara.
Ai deklaroi se KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, me synimin për të kontribuuar në krijimin e kushteve për paqe të qëndrueshme, demokraci dhe prosperitet për gjeneratat e ardhshme.
NATO, sipas njoftimit, nuk do të lejojë krijimin e një vakumi sigurie në Kosovë dhe do të vazhdojë të kontribuojë në sigurinë afatgjatë të vendit dhe stabilitetin rajonal, në interes të të gjitha komuniteteve.
KFOR-i do të vazhdojë të zbatojë mandatin e tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë banorët e Kosovës, si dhe garantimin e lirisë së lëvizjes, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Për ruajtjen e gatishmërisë së lartë operacionale, misioni do të vazhdojë patrullimet e rregullta, kontaktet me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve dhe organizimin e ushtrimeve në terren. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.