KIEV – Zelensky: Presim prej një muaji miratimin e Hegseth për raketat amerikane
KIEV, 26 tetor /ATSH DPA/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shprehur sërish pakënaqësinë për vonesat në furnizimin me raketa të mbrojtjes ajrore nga Shtetet e Bashkuara, duke drejtuar kritikat drejtpërdrejt ndaj sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth.
“Veçanërisht, prej gati një muaji presim firmën e zotit Hegseth për raketat e sistemeve Patriot dhe NASAMS (Sistemi i Avancuar Kombëtar i Raketave Tokë-Ajër)”, shkroi Zelensky të hënën në rrjetet sociale.
Sistemet amerikane Patriot konsiderohen veçanërisht efektive në interceptimin e raketave balistike që Rusia përdor në luftën kundër Ukrainës.
Zelensky bëri të ditur se kishte urdhëruar zhvillimin e një tjetër bisede me palën amerikane për këtë çështje.
Ukraina po bashkëpunon me Shtetet e Bashkuara, Evropën dhe partnerë të tjerë që disponojnë rezerva të këtyre raketave, theksoi presidenti ukrainas.
Ai njoftoi gjithashtu se po përgatiten për një takim të ri të grupit Ramstein, i njohur edhe si Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, që pritet të zhvillohet në nëntor.
Më herët, ministri ukrainas i Mbrojtjes, Yevhenii Khmara, kishte deklaruar se Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë synojnë të diskutojnë ndihmën e mëtejshme ushtarake në një takim të ri të këtij grupi.
Zelensky ka shprehur vazhdimisht kohët e fundit shqetësimin për vonesat në furnizimin me raketa interceptuese.
Ukraina po përballet prej më shumë se katër vitesh e gjysmë me pushtimin rus në shkallë të gjerë, duke u mbështetur në ndihmën ushtarake të vendeve perëndimore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.