KIEV – Zelensky: U takon ukrainasve të zgjedhin udhëheqësin e tyre
KIEV, 11 tetor /ATSH-AFP/ – U takon ukrainasve të zgjedhin udhëheqësin e tyre, deklaroi presidenti Volodymyr Zelensky në një intervistë të transmetuar sot në ABC, në përgjigje të thirrjeve të Donald Trump për ndryshimin e presidentit në Ukrainë.
“Me gjithë respektin e duhur për presidentin Trump, u takon shoqërisë sonë, popullit tonë, të zgjedhin kushdo që të jetë udhëheqësi i tyre”, tha ai në intervistë, duke përsëritur thirrjen e tij për një armëpushim 60-ditor me Rusinë, i cili ai beson se do të lejonte mbajtjen e zgjedhjeve.
“I thoni Putinit të na japë dy muaj, 60 ditë armëpushim të plotë, 60 ditë, dhe ne do të mbajmë zgjedhje,” pohoi Zelensky.
“Sigurisht, ne do të jemi të gatshëm të pranojmë çdo zgjedhje që bën populli ynë”, shtoi ai.
Presidenti amerikan kritikoi sulmet e Kievit ndaj rafinerive ruse të shtunën dhe sugjeroi që Ukraina duhet të “marrë një president të ri”, vërejtje të ashpra të bëra një ditë pas njoftimit të papritur të një marrëveshjeje midis Uashingtonit dhe Moskës për blerjen masive të karburantit rus me naftë, së bashku me një lehtësim të sanksioneve amerikane kundër Rusisë.
Çmimet e naftës janë rritur me më shumë se 65% në Shtetet e Bashkuara që nga fillimi i luftës në Lindjen e Mesme, duke ndikuar në sektorë të shumtë ekonomikë, përfshirë bujqësinë dhe transportin.
Donald Trump, i cili po përpiqet me të gjitha mjetet të ulë çmimet në Shtetet e Bashkuara para zgjedhjeve të mesit të mandatit, e di se çmimet e larta të karburantit janë një burim kryesor i pakënaqësisë së votuesve.
Në këtë drejtim, presidenti ukrainas ia atribuoi rritjen e çmimeve të energjisë luftës në Lindjen e Mesme.
“Të gjithë e kuptojnë këtë”, tha ai.
Presidenti ukrainas theksoi më tej se vendi i tij kishte duruar “një javë të vështirë”, duke përmendur gjithsej “196” sulme ajrore ruse kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës dhe vdekjen e “153 civilëve”.
Pavarësisht vërejtjeve të Trump, Zelensky tha se ai vazhdon të “mbështetet te Shtetet e Bashkuara për të na ndihmuar” për t’i dhënë fund luftës, e cila do të hyjë në vitin e saj të pestë shkurtin e ardhshëm.
“Ne mbështetemi te angazhimi i presidentit Trump dhe ekipit të tij për të ndaluar Putinin… Kjo është sfida kryesore në përfundimin e kësaj lufte dhe ne mbështetemi te përkrahja amerikane”, tha ai./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.