Kinë, arrestohet për korrupsion këshilltari i ish-presidentit Hu Jintao
Autoritetet kineze kanë arrestuar një ish-zyrtar të lartë për korrupsion pas përjashtimit të tij nga Partia Komuniste, njoftoi të martën agjencia shtetërore kineze e lajmeve “Xinhua”.
Ling Jihua, 58 vjeç, këshilltar i ish-presidentit Hu Jintao, u akuzua nga partia për marrje ryshfeti.
Nga viti 2007 deri në vitin 2012, Ling ishte drejtor i Zyrës së Përgjithshme të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, një pozicion i krahasuar shpesh me shefin stafit të Shtëpisë së Bardhë, duke e bërë atë një politikan jashtëzakonisht të fuqishëm në sistemin politik të Kinës.
Me ardhjen në pushtet të presidenti aktual të Kinës, Xi Jinping, 58-vjeçari u largua nga posti që e mbajti për 5 vite.
Xi Jinping ka ndërmarrë një fushatë masive kundër zyrtarëve të korruptuar. Në dhjetor, një hetim formal u nis brenda partisë ndaj Lind për shkelje të rëndë të rregullave të partisë dhe ai u përjashtua menjëherë nga strukturat e Partisë Komuniste.
Agjencia shtetërore kineze e lajmeve “Xinhua” njoftoi se hetuesit e partisë e kanë dërguar rastin në organin më të lartë të Prokurorisë së Kinës, i cili po kryen hetimet e veta.