KINEMA – Hilary Swank, 52 vjeçe, në pritje të fëmijës së tretë
– Aktorja amerikane Hilary Swank, 52 vjeçe, e cila pret fëmijën e saj të tretë, ka folur për kritikat dhe paragjykimet me të cilat përballen gratë që vendosin të bëhen nëna në një moshë më të madhe.
Gjatë një interviste në emisionin “The Drew Barrymore Show”, fituesja e dy çmimeve “Oscar” theksoi se gratë gjykohen më ashpër se burrat për vendimet që lidhen me prindërimin, duke ndarë edhe përvojën e saj personale.
Aktorja, pret fëmijën e saj të tretë me bashkëshortin, biznesmenin Philip Schneider.
Lindja pritet në muajin dhjetor. Çifti ka gjithashtu binjakë trevjeçarë, Aya dhe Ohm.
Prezantuesja Drew Barrymore u pajtua me të, duke theksuar se burrat mund të bëhen baballarë edhe në moshën 80-vjeçare.
Ajo kujtoi gjithashtu se edhe vetë Swank kishte pasur fëmijë pas të 40-ave dhe se jo të gjithë kishin reaguar pozitivisht ndaj këtij vendimi.
Swank tregoi se një koment i veçantë nga një grua e kishte bërë të reflektonte.
Gruaja e kishte kritikuar, duke i thënë se ishte tepër e moshuar për të pasur fëmijë dhe se mund të mos jetonte aq gjatë sa t’i shihte ata të rriteshin.
Për të shpjeguar shqetësimin e saj, gruaja kishte treguar se babai i saj, personi i saj i preferuar, kishte vdekur kur ajo ishte në fillim të të 20-ave dhe se kjo humbje i kishte shkaktuar dhimbje të madhe.
Aktorja tha se e kuptonte këtë ndjenjë, pasi edhe babai i saj, Stephen Swank, kishte ndërruar jetë në vitin 2021.
“Ai ishte një nga njerëzit e mi të preferuar në botë”, tha aktorja, duke shpjeguar se për këtë arsye e kishte prekur veçanërisht historia e gruas.
Megjithatë, Swank shtoi se ajo do të preferonte të kishte lindur dhe të kishte mundësinë ta njihte një person kaq të dashur, edhe nëse do ta humbiste më vonë, sesa të mos e kishte përjetuar kurrë atë marrëdhënie.
Aktorja njoftoi shtatzëninë në rrjetin social “Instagram”, duke publikuar një animacion me figura të ndriçuara që paraqiste familjen e saj dhe barkun e saj shtatzënë.
“Shumë njerëz më kanë pyetur se cili është projekti im i radhës. Ai do të vijë në dhjetor”, shkroi ajo, duke iu referuar lindjes së pritshme.
Swank u martua me Philip Schneider në vitin 2018, pas dy vitesh lidhjeje.
Më herët, ajo ka qenë e martuar për nëntë vjet me aktorin Chad Lowe, deri në vitin 2006.
Ajo ishte gjithashtu e fejuar me ish-tenistin profesionist, i cili më pas u bë këshilltar financiar, Ruben Torres, por çifti u nda në vitin 2016.
Aktorja ka fituar dy çmime “Oscar” si aktorja më e mirë, në vitin 2000 për filmin “Boys Don’t Cry” dhe në vitin 2005 për filmin “Million Dollar Baby”. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.