BERLIN – Wadephul: Mbështetja e SHBA-së për Ukrainën ka më shumë rëndësi se kritikat e Trump
BERLIN, 16 tetor /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul ka minimizuar rëndësinë e kritikave të presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Ai tha se deklaratat e Trump lidhen me fushatën zgjedhore në SHBA dhe theksoi se më e rëndësishmja është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën.
Trump ka shtuar kritikat ndaj presidentit ukrainas ditët e fundit, duke e paraqitur Zelensky si një pengesë për arritjen e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë dhe duke kërkuar zëvendësimin e tij.
Këto deklarata duhet të shihen, patjetër në kontekstin e fazës përfundimtare të fushatës zgjedhore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha sot Wadephul, gjatë një takimi në Berlin me homologun e tij portugez, Paulo Rangel.
“Për këtë arsye, duhet të përqendrohemi te ajo që ka më shumë rëndësi, veprimet konkrete të SHBA-së”, tha ai.
“Duhet të shohim thelbin e asaj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të bëjnë. Dhe kjo është mbështetja që i japin Ukrainës, së bashku me ne”, u shpreh Wadephul.
Nga ana e tij, Rangel tha se vendet evropiane po përpiqen ta bindin SHBA-në, të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, ndërsa afrojnë muajt e dimrit.
Më 3 nëntor, në SHBA do të mbahen zgjedhjet e mesmandatit, ku do të votohet për vendet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe për rreth një të tretën e vendeve në Senat.
Këto zgjedhje do të përcaktojnë nëse republikanët e Trump do të ruajnë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit amerikan.
Rezultati mund të ndikojë ndjeshëm në aftësinë e presidentit për të zbatuar politikat e tij gjatë dy viteve të ardhshme. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.