KINEMA – Rowan Atkinson rikthehet me shfaqjen e tij të parë komike pas 40 vitesh
LONDER, 5 tetor /ATSH-DPA/- Aktori britanik Rowan Atkinson do të rikthehet në skenën e teatrove “West End”, në Londër me shfaqjen e tij të parë komike pas 40 vitesh. Ky do të jetë rikthimi i tij në teatër pas më shumë se një dekade.
Aktori 71-vjeçar, fitues i disa çmimeve, do të ngjitet vitin e ardhshëm në skenën e teatrit “Gillian Lynne” në Londër.
Shfaqja do të ndërthurë materiale të reja humoristike me disa nga skeçet dhe personazhet më të famshme të karrierës së tij.
Atkinson u bë i njohur në fund të viteve 1970, kur luajti në emisionin humoristik me skeçe të BBC-së “Not The Nine O’Clock News”.
Në vitet 1980, ai mori rolin kryesor në serialin humoristik historik “Blackadder”, i cili parodizonte ngjarje dhe personazhe nga historia britanike.
Aktori u bë shumë shpejt një emër i njohur në familjet britanike, ndërsa famën ndërkombëtare e arriti në vitet 1990, kur krijoi dhe interpretoi serialin televiziv “Mr Bean”.
Në këtë serial ai luan një personazh që flet shumë pak, është i çrregullt dhe shpesh përfshihet në situata kaotike, me sjellje të ngjashme me ato të një fëmije.
Atkinson do t’u rikthehet këtyre personazheve të dashur të humorit në shfaqjen “Rowan Live”, ndërsa premton edhe materiale të reja.
Materialet e reja janë krijuar së bashku me bashkëpunëtorët e tij prej shumë vitesh, skenaristin Richard Curtis, komedianin Ben Elton dhe kompozitorin Howard Goodall.
Atkinson tha se kanë kaluar 40 vjet që nga hera e fundit kur ai realizoi një shfaqje me skeçe humoristike, në “West End” dhe se do të ishte kënaqësi të rikthehej te humoret që shënuan fillimet e tij, si dhe te personazhet më të njohura të tij.
Ai shtoi se shfaqja do të përmbajë edhe materiale të reja, të shkruara posaçërisht për këtë produksion.
“Rowan Live” prezantohet si një festim i karrierës së jashtëzakonshme artistike të Atkinson. Shfaqja do të ketë 30 episode në skenën e teatrit në Londër, nga 8 shkurti deri më 13 mars.
Curtis dhe Goodall kanë bashkëpunuar shpesh me Atkinson gjatë karrierës së tij. Të tre u njohën gjatë kohës që Atkinson studionte në Universitetin e Oksfordit në vitet 1970.
Curtis bashkëpunoi me Atkinson në serialet “Mr Bean” dhe “Blackadder”.
Ai është gjithashtu skenarist, producent dhe regjisor i vlerësuar me çmime, i njohur për filma si “Love Actually”, “Notting Hill” dhe “Four Weddings And A Funeral”.
Howard Goodall ka kompozuar muzikën e “Rowan Live”. Shfaqja do të drejtohet nga Raz Shaw dhe do të prezantohet nga “Playful Productions”, në bashkëpunim me “PBJ Management”.
Kjo shfaqje shënon rikthimin e Atkinson në një produksion teatror të “West End”, që nga viti 2013, kur ai luajti në një version të rikthyer të dramës së vlerësuar me çmime “Quartermaine’s Terms”, të dramaturgut Simon Gray. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.