KLIMË – Gushti 2026, muaji më i nxehtë në histori, temperaturat alarmojnë Evropën dhe Ballkanin
– Gushti i vitit 2026 ka vendosur një rekord të ri klimatik, duke u bërë muaji i gushtit më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në planet, shkruan tgcom24.it.
Sipas të dhënave të Copernicus Climate Change Service (C3S), temperatura mesatare e ajrit në sipërfaqen e Tokës arriti në 16,96°C, 0,85°C mbi mesataren e periudhës 1991–2020.
Kjo vlerë barazohet me rekordin absolut të korrikut 2023 dhe përfaqëson një anomali prej 1,65°C mbi nivelin e periudhës paraindustriale 1850–1900.
Vera 2026, ndër më të nxehtat në histori
Rekordi nuk kufizohet vetëm te muaji gusht. I gjithë tremujori i verës, nga qershori deri në fund të gushtit, rezultoi më i nxehti i regjistruar ndonjëherë në nivel global, në të njëjtin nivel me verën e vitit 2024.
Në Evropë, vera e vitit 2026 renditet e treta më e nxehtë, pas viteve 2024 dhe 2022. Ndërsa në Evropën Perëndimore u vendos një rekord i ri, duke tejkaluar rekordin e vitit 2003, i cili mbeti i njohur për valët e jashtëzakonshme të të nxehtit.
Itali dhe Ballkan, temperatura deri në 5°C mbi normalen
Gjatë gushtit, një zonë e gjerë me temperatura shumë mbi normalen u shtri nga verilindja e Spanjës drejt Mesdheut perëndimor dhe qendror, duke vijuar deri në Evropën Lindore.
Franca, Italia, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Hungaria, Rumania dhe zona të gjera të Ballkanit regjistruan temperatura përgjithësisht 3 deri në 5°C mbi mesataren.
Nxehtësia e pazakontë u shoqërua në shumë zona edhe me kushte më të thata se normalja, duke përkeqësuar situatën hidrike dhe favorizuar përhapjen e zjarreve.
Lumenj me nivele jashtëzakonisht të ulëta
Mungesa e reshjeve ndikoi ndjeshëm në disa prej lumenjve kryesorë evropianë. Danubi, Reni, Bug-u jugor dhe Dniepri regjistruan nivele jashtëzakonisht të ulëta.
Situata problematike u vu re gjithashtu përgjatë Vistulës, Glomës, Ronës, Senës dhe Po-së. Reshjet e fundit të gushtit sollën një përmirësim të pjesshëm, por nuk mundën të eliminonin pasojat e javëve me temperatura të larta dhe mungesë uji.
Edhe oqeanet në nivele rekord
Rekordi klimatik i gushtit u shtri edhe në oqeane. Në zonën midis paralelit 60° jug dhe 60° veri, temperatura mesatare e sipërfaqes së detit arriti në 21,07°C, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për një muaj gusht.
Rekordi i mëparshëm ishte 20,98°C, i vendosur në vitin 2023. Më 24 dhe 25 gusht, temperatura mesatare ditore e sipërfaqes së detit arriti në 21,11°C, duke shënuar një rekord të ri absolut.
Mesdheu ndër zonat më të nxehta
Temperatura jashtëzakonisht të larta të ujërave u regjistruan edhe pranë Evropës, veçanërisht përgjatë brigjeve të Atlantikut evropian dhe në Mesdheun Perëndimor, ku u zhvilluan valë të përhapura të të nxehtit detar.
Ndërkohë, në Paqësorin tropikal janë evidentuar kushte të lidhura me El Niño, fenomen që, sipas parashikimeve, mund të forcohet gjatë muajve të ardhshëm.
12 muaj me temperaturë 1,48°C mbi nivelin paraindustrial
Edhe në një periudhë më të gjatë, situata mbetet shqetësuese. Mesatarja e 12 muajve nga shtatori 2025 deri në gusht 2026 ishte 1,48°C mbi nivelin paraindustrial.
Sipas ekspertëve të klimës, rekordi i gushtit nuk duhet parë si një episod i izoluar, por si pjesë e një periudhe më të gjatë me temperatura jashtëzakonisht të larta.
Gushti 2026 hyn kështu në historinë klimatike si gushti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, ndërsa në Evropën Perëndimore rekordi i vitit 2003 tashmë është tejkaluar.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.