«Kodiçi Azcatitlan» kthehet në Meksikë pas 184 vjetësh: dorëshkrimi i rrallë aztek ekspozohet në Muzeun Kombëtar të Antropologjisë
Një nga dorëshkrimet më të rralla dhe më të çmuara të trashëgimisë azteke është kthyer në Meksikë pas 184 vjetësh mungesë. Kodiçi Azcatitlan, një dorëshkrim i ilustruar i shekujve XVI–XVII që rrëfen historinë e qytetërimit aztek përmes piktogramave, po ekspozohet tashmë në Muzeun Kombëtar të Antropologjisë në Meksiko Siti, ku pritet të tërheqë me mijëra vizitorë.
Dokumenti përbëhet nga 20 folio që ndërthurin traditën piktografike mesoamerikane me elemente të shkrimit europian: nga migracioni i mexica-ve prej Aztlan-it legjendar, tek themelimi i Mexico-Tenochtitlan-it, gjenealogjia e sundimtarëve, mbërritja e spanjollëve, pushtimi dhe më pas ungjillëzimi i popullatës vendase. Dorëshkrimi është dhënë në huazim nga Biblioteka Kombëtare e Francës (BnF) dhe do të jetë i aksesueshëm për publikun deri më 6 dhjetor — është hera e parë që kthehet në Meksikë që nga viti 1840.
Shkëmbimi po realizohet në kuadër të 200-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis Francës dhe Meksikës: në këmbim, Kodiçi Boturini i Muzeut Kombëtar të Antropologjisë udhëtoi për në Paris për t’u ekspozuar në BnF. Sipas marrëveshjes, të dy dokumentet do t’u kthehen pronarëve të tyre aktualë deri në fund të vitit.
Meksika ka kërkuar prej vitesh kthimin e kodiçit, kërkesa të cilat Franca i ka refuzuar. Pas vizitës shtetërore të presidentit francez Emmanuel Macron në vitin 2025, presidentja meksikane Claudia Sheinbaum e bëri prioritet të saj repatriimin e kodiçeve azteke. Gjatë inaugurimit të ekspozitës, ministri i jashtëm meksikan Roberto Velasco tha: “Kodiçet nuk i përkasin institucioneve; i përkasin popullit dhe brezave që e njohin veten tek ata.”
Historia e pronësisë së dorëshkrimit është po aq e pasur sa përmbajtja e tij: pronari i parë i njohur ishte Fernando de Alva Ixtlilxóchitl, pasardhës i sundimtarit të famshëm Nezahualcóyotl; më pas kaloi tek studiuesi Carlos de Sigüenza y Góngora dhe në një bibliotekë jezuite në Meksikë. Në vitin 1737 e bleu Lorenzo Boturini, por koleksioni iu sekuestrua nga Nëmbretëria e Spanjës së Re. Në vitin 1830 iu shit Joseph Aubin-it, i cili e dërgoi në Paris në vitin 1840. Pas koleksionistit Eugène Goupil, e veja e tij ia dhuroi dokumentin BnF-së në vitin 1896, ku ruhej deri më sot.
Burimi: USA Art News (përmes ARTnews)



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.