KOMENT – Merz nën presion, ndërsa AfD synon fitoren e radhës
BERLIN, 20 shtator /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz përballet sot me perspektivën e një dite tjetër të vështirë në zgjedhje, ndërsa dy lande (shtete federale) u drejtohen kutive të votimit, dy javë pasi partia e ekstremit të djathtë “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) arriti një fitore të bujshme në Saksoni-Anhalt.
Votimet në Berlin dhe në landin verilindor të Meklenburg-Pomeranisë Perëndimore janë të fundit në një vit të ngjeshur me pesë zgjedhje në landet gjermane.
Këto zgjedhje kanë nxjerrë në pah pakënaqësinë e gjerë publike ndaj qeverisë së koalicionit të Merzit dhe kanë nxitur spekulime serioze mbi të ardhmen e kancelarit.
Procesi i votimit në të dyja zgjedhjet nisi sot në orën 08:00 (06:00 GMT), ndërsa sondazhet në dalje të qendrave të votimit pritet të japin një tregues të parë të rezultatit menjëherë pas mbylljes së qendrave në orën 18:00.
Dështimi i rëndë i CDU-së së Merzit në Saksoni-Anhalt në fillim të këtij muaji – ku AfD-ja arriti në gati 44% të votave, ndërsa CDU-ja ra në rreth 17% – vetëm sa ka shtuar zërat brenda radhëve konservatore për një “ndërrim kancelari”, një rast i rrallë ky në politikën gjermane.
Merz mbetet i vendosur
Një poshtërim i mëtejshëm për CDU-në mund të ndodhë në landin verilindor të Meklenburg-Pomeranisë Perëndimore, ku partia po përpiqet me dëshpërim të shmangë rezultatin më të dobët në historinë e saj në zgjedhjet e landeve gjermane.
Sondazhet e fundit e tregonin atë pak mbi pragun prej 5% të nevojshëm për të siguruar vende në parlament.
Dalja nga parlamenti i Meklenburg-Pomeranisë Perëndimore – edhe pse nuk është një land ku CDU-ja ka shkëlqyer tradicionalisht – do të përbënte një skenar makthi për partinë dhe mund të ishte goditja përfundimtare për kancelarin që ndodhet në vështirësi.
Merz ka bërë çmos për të shuar spekulimet rreth së ardhmes së tij, duke theksuar pas zgjedhjeve në Saksoni-Anhalt se “dorëzimi nuk është një opsion për mua”.
Megjithatë, si shenjë se është plotësisht i vetëdijshëm për atë që është në lojë, ai anuloi udhëtimin e javës së ardhshme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, për t’i lënë hapësirë një analize postzgjedhore që mund të jetë e dhimbshme.
Ai ka qenë gjithashtu dukshëm i heshtur gjatë fushatës zgjedhore në javët e fundit.
Bilanci i kancelarit në pushtet deri më tani nuk ofron shumë për t’u mburrur: ekonomia më e madhe e Evropës mbetet në stanjacion – në rastin më të mirë – më shumë se një vit pasi Merz mori detyrën, ndërkohë që ai po has vështirësi në miratimin e reformave të diskutueshme, përfshirë ato të sistemit të pensioneve.
Rritja e social-demokratëve
Ashtu si Saksonia-Anhalt, edhe Meklenburg-Pomerania Perëndimore është një land lindor me popullsi të rrallë, që ka pasur vështirësi të përballet me pasojat e ribashkimit gjerman të vitit 1990, gjë që ka favorizuar rritjen e partisë populiste AfD.
Pasi ka kryesuar sondazhet për muaj të tërë, kjo parti kundërshtare e imigracionit shpreson të shfrytëzojë vrullin e saj për të frenuar rikthimin e fuqishëm të qendrës së majtë, të udhëhequr nga kryeministrja në detyrë Manuela Schwesig e social-demokratëve (SPD).
Duke u distancuar nga SPD-ja në nivel kombëtar – partneri i vogël në koalicionin federal jopopullor të Merz-it – Schwesig arriti, sipas një sondazhi të publikuar të enjten, të kalonte AfD-në me një pikë përqindjeje.
CDU lufton për të mbajtur Berlinin
Ndërkohë, në Berlin, partia e Merzit rrezikon të humbasë postin e kryetarit të bashkisë përballë partisë “E Majta” (Die Linke) – pasardhëse e partisë socialiste që qeveriste ish-Gjermaninë Lindore.
Kryetari aktual i bashkisë nga CDU-ja, Kai Wegner, u detyrua të hiqte dorë nga përpjekja për rizgjedhje pasi u përfshi në një polemikë të gjatë lidhur me një ndeshje tenisi që kishte luajtur në janar, pikërisht kur pjesë të mëdha të qytetit po vuanin ndërprerjen e energjisë elektrike në temperatura të ngrirjes.
Pasardhësi i tij si kandidati kryesor i partisë, ministri i Financave të landit Stefan Evers, ka arritur t’i mbajë gjallë shanset e CDU-së, pavarësisht hyrjes së vonuar në garë. Partia gëzon një mbështetje prej rreth 20% në sondazhe, pak pas partisë “E Majta” dhe pak para AfD-së.
Ashtu si në Meklenburg-Pomeraninë Perëndimore, skenari më i mundshëm në Berlin pas votimit të së dielës duket se është një koalicion trepalësh.
Nëse “E Majta” ose CDU-ja dalin fituese, një koalicion me SPD-në dhe të Gjelbrit shihet si rruga më e mundshme për formimin e qeverisë.
Të gjitha partitë kryesore refuzojnë të bashkëpunojnë me AfD-në, në përputhje me një politikë të kahershme të njohur si “muri mbrojtës” (firewall)./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.