Kompozitori Çesk Zadeja, figura më e madhe krijuese e muzikës shqiptare
Akademia e Shkencave përkujton sot me nderim, në ditën e ndarjes nga jeta, kompozitorin e shquar Çesk Zadeja.
Çesk Zadeja lindi më 8 qershor 1927 në Shkodër dhe u nda nga jeta më 15 gusht 1997 në Romë. Hapat e parë i hodhi në shkollën françeskane të qytetit, ku u njoh me muzikën dhe mori pjesë në korin e Kishës Françeskane, nën drejtimin e patër Martin Gjokës, Filip Mazrekut dhe Prenk Jakovës. Qysh herët u dallua për talentin e tij, duke u angazhuar në grupet amatore të qytetit.
Pas çlirimit të vendit, në vitet 1946–1947, Zadeja punoi në Radio Shkodra si përgjegjës i departamentit muzikor, ndërsa më vonë u dërgua për studime në Moskë, në Konservatorin “Çajkovski”, ku u diplomua për kompozim në klasën e profesorëve të njohur Cullaki, Bogatyrieff. Si student i dalluar, u kthye në Shqipëri dhe u bë një nga figurat themelore të jetës muzikore.
Në vitet 1957–1962 Çesk Zadeja drejtoi Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke dhënë një kontribut të madh si krijues dhe organizator. Më pas punoi si pedagog në Konservatorin e Tiranës (sot Akademia e Arteve), si udhëheqës artistik në Teatrin e Operës dhe Baletit, dhe si drejtues i degës së muzikës në Institutin e Lartë të Arteve. Për dekada me radhë, Zadeja mbajti një rol udhëheqës në formimin e institucioneve muzikore shqiptare.
Si kompozitor, Zadeja përfaqëson figurën më të madhe krijuese të muzikës shqiptare, duke i vënë bazat muzikës klasike kombëtare. Veprat e tij, si “Suita e Veriut”, “Suitë korale”, “Skica simfonike”, “Poema vokale”, “Romanca”, “Simfonia”, “Rapsodi për violinë” dhe “Hej ju male”, dëshmojnë mjeshtërinë e tij në ndërthurjen e elementeve folklorike me gjuhën moderne muzikore. Muzika e tij ruan ngjyrimet e folklorit verior dhe jugor, duke i shkrirë në një harmoni të re, tipikisht shqiptare.
Si pedagog, Zadeja formoi breza të tërë kompozitorësh, ndër ta Tonin Harapi, Kujtim Laro, Thoma Gaqi, Agim Krajka, Limoz Dizdari, Aleksandër Peçi, e shumë të tjerë, të cilët sot përbëjnë shtyllën e krijimtarisë muzikore shqiptare. Ndikimi i tij në jetën muzikore është i pakrahasueshëm, sepse veprimtaria e tij ka qenë udhërrëfyese dhe mbizotëruese për brezat e rinj.
Çesk Zadeja mbetet një emblemë kombëtare e muzikës shqiptare, një personalitet që me veprën e tij i dha muzikës sonë një vend të denjë në kulturën europiane. Në vitin 2022 ai u shpall “Nderi i Akademisë”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.