“Korridori i Kaltër”, një nga projektet që do të diskutohet në Samitin e Berlinit
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, do të takohet të hënën me kryeministrat e Kroacisë, Malit të Zi dhje të Bosnjë-Hercegovinës për të koordinuar projektet zhvilluese për rajonin që do të paraqiten në Samitin e Berlinit më 28 Gusht, ku Kancelarja gjermane Angela Merkel ka mbledhur krerët e vendeve të Ballkanit.
Takimi i katër kryeministrave do të jetë jo formal dhe sipas një burimi diplomatik ai do të zhvillohetnë Kroaci.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, deklaroi në konferencën e sotme për shtyp, se të gjitha përpjekjet që po bëhen si nga ana e tij, ashtu dhe nga ana e Ministrit të Jashtëm shqiptar, Dirmir Bushati, është që nga Samiti i Berlinit të hapë një proces që do të shoqërohet me projekte të rëndësishme mbështetje financiare.
“Është shumë e rëndësishme që të nisë një proces në Berlin dhe jo thjesht që të shprehet vullneti i mirë”, deklaroi Rama, i cili përmendi si një nga projektet kyçe që synohet të diskutohet në Berlin, “Korridorin e Kaltër” që përbën autostradën bregdetare veri jug që lidh jugun e Kroacisë, përshkon Malin e Zi dhe Shqipërinë nga Shkodra në jug, pikërisht deri në përfundim të bregdetit jonian.
Duke folur për ftesën e kancelares gjermane Angela Merkel, Kryeministri Edi Rama tha se duhet të hyjmë në një fazë të re me BE, si pjesë të Europës ende të pabashkuar, pasi është viti i parë i një Ballkani ku nuk ka asnjë konflikt të hapur. Sipas tij, kjo situatë paqeje është edhe një hapësirë e re për zhvillim në Ballkan. Mbështetja financiare sipas Ramës është e rëndësishme, pasi për projekte të rëndësishme si korridori kaltër, nuk mund të përballohen me buxhetet e vendeve të rajonit.
“Ne jemi në vitin e parë të një Ballkani ku nuk ka asnjë konflikt të hapur, dhe është një paqe që është edhe një hapësirë e re për zhvillim, dhe gjëja që është kuptuar nga të gjithë është se duhet të hyjmë në një fazë të re me BE, si pjesë të Europës ende të pabashkuar dhe në këtë aspekt edhe ftesa e kancelares vjen si rezultat i bazës së përbashkët të kuptimit të situatës. Rajoni si i tërë nuk mund të presë, për çështje si “Korridori Kaltër” dhe nuk mund të përballohet me buxhetet e vendeve të rajonit, por duhet të ketë edhe mbështetjen financiare. Kjo ka qenë kryefjala e kursit të ri të politikës së Jashtme në raport me vendet partnere dhe jemi në një stacion ku duhet të jemi të gëzuar për arritjet, por duhet të hapim një proces të ri të marrëdhënieve të reja”, deklaroi Kryeministri shqiptar.
Duke ju përgjigjur pyetjes së ATSH-së në lidhje me marrëdhëniet me Gjermaninë, Kryeministri shqiptar, Edi Rama, deklaroi se “Nuk është sekret që po hapim një faqe të re të marrëdhënieve me Gjermaninë dhe nuk është sekret që si pasojë e kësaj faqje të re të hapen mundësi të reja bashkëpunimi që deri dje nuk ekzistonin. Kjo situatë është falë edhe qasjes së re në politikën tonë të jashtme ku ne ecim me reciprocitet dhe duke u treguar të hapur”.
Kreu i qeverisë shqiptare ka ripërsëritur se kryefjala e një imazhi të ri të vendit karshi partnere është drejtësia, ku gjithashtu theksoi që nga shtatori do të ketë një “reformë të thellë dhe të plotë”.