Kosovë, investim mbi 236 mln euro: Dy kompani amerikane ofertë për ndërtimin e baterive energjetike
Dy kompani amerikane kanë dorëzuar ofertat për projektimin dhe ndërtimin e sistemeve të baterive me kapacitet prej 340 MWh në Istog dhe Ferizaj.
Dy kompani nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dorëzuar ofertat për projektimin dhe ndërtimin e sistemit të baterive për ruajtjen e energjisë në Kosovë, ka njoftuar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Sipas Rizvanollit, ofertat tashmë do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit, ndërsa synimi është që ndërtimi i projektit të nisë gjatë vitit të ardhshëm.
Sistemi i baterive do të ketë kapacitet prej 340 MWh dhe do të ndërtohet në Istog dhe Ferizaj. Projekti synon të rrisë kapacitetet e Kosovës për ruajtjen e energjisë dhe të kontribuojë në sigurinë e furnizimit me energji elektrike.
Projekti është pjesë e Programit Kompakt, në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, i bashkëfinancuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Millennium Challenge Corporation (MCC) dhe Qeverisë së Kosovës.
Rizvanolli ka falënderuar partnerët amerikanë, MCC-në dhe ekipin e MCA-Kosovës për angazhimin në realizimin e projektit, i cili përbën një nga investimet e rëndësishme të planifikuara në sektorin energjetik të Kosovës.
“Tani vijon vlerësimi, me synim nisjen e ndërtimit vitin e ardhshëm. Me kapacitet prej 340 MWh në Istog dhe Ferizaj, po i afrohemi realizimit të një prej investimeve më të mëdha në sektorin e energjisë në dekadat e fundit. Projekti është pjesë e Programit Kompakt prej 236.7 milionë dollarësh, të bashkëfinancuar nga ShBA-ja përmes MCC-së dhe Qeveria e Kosovës. Faleminderit partnerëve tanë amerikanë, MCC-së dhe ekipit të MCA-Kosovës për përkushtimin dhe punën e përbashkët për sigurinë energjetike të vendit tonë”.
Pas përfundimit të procedurave të vlerësimit dhe përzgjedhjes së ofertuesit, projekti pritet të kalojë në fazën e zbatimit, duke përbërë një nga projektet e rëndësishme të investimeve në sektorin energjetik të Kosovës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.