Von der Leyen për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së: Vendimi ka të bëjë me përgjegjësi individuale, historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se Kosova po kalon nëpër një moment të rëndësishëm politik, duke përsëritur mbështetjen e Bashkimit Evropian për vendin dhe rrugën e tij drejt integrimit evropian.
Von der Leyen tha se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe se viti 1999 mbetet i skalitur në kujtesën kolektive të qytetarëve të Kosovës.
“Asgjë dhe askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës. Viti 1999 është i skalitur në memorien tuaj kolektive – represioni i dhunshëm, kriza humanitare dhe vuajtja e popullit tuaj. BE-ja ka qëndruar me ju që nga ajo kohë”, tha Von der Leyen.
Ajo theksoi se Bashkimi Evropian e konsideron Kosovën një partner të fuqishëm dhe se ka mbështetur rindërtimin, zhvillimin ekonomik, reformat dhe ndërtimin e institucioneve demokratike.
“Kosovën e kemi partner të fuqishëm. Kemi mbështetur rindërtimin, zhvillimin ekonomik, reformat dhe themelimin e institucioneve demokratike. E ardhmja e Kosovës është në BE”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian.
Duke folur për aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Von der Leyen tha se vendimi ka shkaktuar emocione të fuqishme, ndërsa vlerësoi reagimet e qytetarëve dhe liderëve politikë që kanë bërë thirrje për qetësi.
“Aktgjykimi i Gjykatës Speciale ka shkaktuar emocione të fuqishme dhe çmoj reagimin tuaj të matur dhe të liderëve politikë që thërrasin për qetësi”, tha ajo.
Von der Leyen theksoi se vendimi është marrë nga një institucion i pavarur gjyqësor dhe se mandati i tij duhet të respektohet, ndërsa mbrojtja ka të drejtë të apelojë.
“Vendimi është dhënë nga një institucion i pavarur gjyqësor dhe mandati i tij duhet të respektohet. Mbrojtja ka të drejtë të apelojë”, u shpreh Von der Leyen.
Ajo nënvizoi se aktgjykimi lidhet me përgjegjësinë individuale të personave të akuzuar dhe se, sipas saj, rezistenca e Kosovës nuk ka qenë në gjykim.
“Një gjë është e qartë: ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësi individuale të personave të pandehur. Rezistenca e Kosovës nuk ka qenë në gjykim dhe duhet ta respektojmë kujtesën për të gjitha viktimat, nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, tha Von der Leyen. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.