☀️
Tiranë 20°C · Kthjellët 06 Tetor 2026
S&P 500 7,774 ▲0.66%
DOW 51,268 ▲0.18%
NASDAQ 27,477 ▲1.05%
NAFTA 88.87 ▼0.63%
ARI 4,168 ▲0.27%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1209 EUR/GBP 0.8483 EUR/CHF 0.9321 EUR/ALL 91.8826 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3716 EUR/TRY 55.1309 EUR/JPY 177.16 EUR/CAD 1.5986 EUR/USD 1.1209 EUR/GBP 0.8483 EUR/CHF 0.9321 EUR/ALL 91.8826 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3716 EUR/TRY 55.1309 EUR/JPY 177.16 EUR/CAD 1.5986
₿ CRYPTO
BTC $85,858 ▼ -0.61% ETH $2,714 ▼ -0.53% XRP $1.5027 ▼ -1.21% SOL $120.5200 ▼ -1.02%
S&P 500 7,774 ▲0.66 % DOW 51,268 ▲0.18 % NASDAQ 27,477 ▲1.05 % NAFTA 88.87 ▼0.63 % ARI 4,168 ▲0.27 % S&P 500 7,774 ▲0.66 % DOW 51,268 ▲0.18 % NASDAQ 27,477 ▲1.05 % NAFTA 88.87 ▼0.63 % ARI 4,168 ▲0.27 %
EUR/USD 1.1209 EUR/GBP 0.8483 EUR/CHF 0.9321 EUR/ALL 91.8826 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3716 EUR/TRY 55.1309 EUR/JPY 177.16 EUR/CAD 1.5986 EUR/USD 1.1209 EUR/GBP 0.8483 EUR/CHF 0.9321 EUR/ALL 91.8826 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3716 EUR/TRY 55.1309 EUR/JPY 177.16 EUR/CAD 1.5986
06 Tet 2026
Breaking
Mali i Zi

Krajina e Tivarit nuk mund të bëhet komunë qyteti: ministria rrëzon kërkesën e Gjeloshajt

Krajina e Tivarit nuk mund të bëhet komunë qyteti — kjo është përgjigja që Ministria e Administratës Publike i ka dhënë gazetës Vijesti ndaj kërkesës së zv.kryeministrit dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj (Forumi Shqiptar), i cili në fund të shtatorit i kërkoi kryeministrit Millojko Spajiq nisjen e dialogut dhe përgatitjen e analizave juridike, ekonomike dhe territoriale për formimin e komunës qyteti Krajina.

Sipas ministrisë që drejtohet nga kolegu partiak i Gjeloshajt, Marash Dukaj, kërkesa nuk mund të realizohet sepse nuk plotësohen kushtet e Ligjit për vetëqeverisjen vendore. Ligji (neni 37) parashikon se komuna qyteti themelohet vetëm me statutin e Kryeqytetit ose të qytetit me mbi 40 mijë banorë — ndërsa Tivari ka statusin e komunës, jo të qytetit.

“Komuna qyteti nuk është njësi e veçantë e vetëqeverisjes vendore, por një formë e ushtrimit të vetëqeverisjes në një pjesë të territorit të kryeqytetit apo qytetit”, sqaroi kabineti i Dukajt për Vijesti-në, duke shtuar se vetëm pasi të plotësohen kushtet — statusi i qytetit dhe kushti demografik prej mbi 40 mijë banorësh — mund të shqyrtohet institucionalizimi i një komune qyteti.

Krahinën e përbëjnë mbi njëzet fshatra dhe lagje mes Rumisë dhe brigjeve të Liqenit të Shkodrës; më të mëdhenjtë janë Ostrosi, Muriqi dhe Livari. Sipas regjistrimit të vitit 2023 të Monstat-it, në Krahinë banojnë kryesisht shqiptarë: në Arbnash, Ostrosin e Vogël, Martiç, Koshtanicë dhe Tejanë të gjithë banorët e regjistruar u deklaruan shqiptarë, ndërsa në Bobovishtë 113 nga 115 banorët janë shqiptarë.

Vijesti shkruan se as komuna e Tivarit, e drejtuar nga Dushan Raiçeviq (DPS), dhe as vetë Gjeloshaj nuk iu përgjigjën pyetjeve të redaksisë për këtë iniciativë. Ndërkohë reagoi kryetari i kuvendit lokal dhe deputeti i Aleancës Evropiane, Branisllav Neneziq, i cili tha se përmes “iniciativave perfide dhe të fshehura, të financuara nga jashtë” po tentohet të prishet bashkëjetesa në Tivar dhe të kthehet qyteti në “politika përçarjeje”. Spajiq, nga ana e tij, në një intervistë për Televizionin e Malit të Zi në fund të muajit të kaluar tha se nuk i kishte parë ende kërkesat e Forumit Shqiptar, por paralajmëroi: “Qeveria nuk është llambë magjike dhe unë nuk jam Aladini”.

Kërkesa për Krajinën ishte pjesë e paketës që Gjeloshaj i dorëzoi Spajiqit më 24 shtator në emër të Forumit Shqiptar — zbatim të vazhdueshëm të marrëveshjes së koalicionit, përfaqësim dhe mbrojtje më të madhe të të drejtave të shqiptarëve, ndryshime në ligjin zgjedhor për mandate të garantuara për shqiptarët, decentralizim më të madh, përshpejtim të projekteve kapitale në zonat shqiptare, zgjidhjen e çështjeve statusore dhe territoriale të Tuzit, Ulqinit dhe Krajinës, si dhe hapjen e pikës kufitare Ckla–Zogaj. Forumi Shqiptar paralajmëroi disa ditë më vonë se do të shqyrtojë formën dhe nivelin e pjesëmarrjes së mëtejshme në qeveri, nëse nuk shihet përparim i dukshëm në respektimin e marrëveshjes së koalicionit.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.